Kuvendi Komunal i Lipjanit udhëhequr nga Kryesuesi i Kuvendit, Daut Azemi, sot ka zhvilluar punimet në mbledhjen e radhës në të cilën përveq pikave të rendit të ditës u ngritën dhe u diskutuan edhe shumë qështje të tjera.
Si në çdo seancë tjetër edhe sot aty ishte prezent kryetari i Komunës, Imri Ahmeti i cili është përgjigjur në të gjitha pyetjet dhe temat e ngritura nga anëtarët e Kuvendit Komunal, njofton Komuna.
Gjatë kësaj mbledhje po ashtu janë miratuar këto propozim vendime: Propozim vendim për lirimin nga pagesa e taksave Komunale, propozim vendim për shpalljen e interesit publik për shpronësim të paluajtëshmërive në funksion të ndërtimit të segmenteve rrugore “Afrim Zhitia”, “Mbreti Zog” dhe “Kongresi i Blinajës” në Lipjan, propozim vendim për miratimin e Hartës Zonale të Komunës së Lipjanit 2021-2029, propozim vendim për miratimin e ofertës së përzgjedhur nga komisioni vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës së Lipjanit.
Harta Zonale e Komunës është një dokument mjaft i rëndësishëm, dokument që ofron informata për qytetarët, se si mund t’i shfrytëzojnë dhe zhvillojnë pronat e tyre.




