Kuvendarët e Lipjanit kanë nisur të mendojnë për vete. Po duan rritje pagash, sepse po vlerësojnë se po paguhen pak për mundin e tyre, ndërsa rritjet e pagave në sektorët e tjerë kanë lënë prapa ata me të ardhura mujore, shkruan sot Koha Ditore.
“Janë rritur pagat gjithandej, kurse vetëm ne anëtarët e KK-së jemi me shumën që e kemi pasur të të ardhurave. Nuk ka ngritje pagash për kuvendarët, ndaj do të ishte e rrugës të diskutohej edhe kjo punë”, ka thënë këshilltari i PDK-së në KK të Lipjanit, Florent Hoxha.
Megjithatë, edhe kryesuesja e KK të Lipjanit, Vlora Limani – Hajnuni ka deklaruar në mbledhjen e fundit të KK-së se pagat e këshilltarëve komunal nuk janë aspak të dinjitetshme, megjithatë, ka shtuar se rritjen e pagave për këshilltarët e KK-së mund të bëj vetëm niveli qendror dhe jo ai lokal. Kryesuesja ka premtuar angazhim personal për këtë hap.
“Më vjen keq për nivelin e pagës së këshilltarit komunal, e që nuk është stimulues për punën që bëhet. Kjo ka qenë edhe një kërkesë edhe në mandatin e kaluar dhe nuk e dimë se çka është bërë, por është një angazhim edhe imi personal në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës që paga e këshilltarit komunal të jetë e dinjitetshme”, ka thënë ajo.
Ndërkohë që, edhe para dy vjetësh Kuvendi Komunal i Lipjanit e kishte marrë një iniciativë për rritjen e pagave dhe privilegjeve tjera të këshilltarëve komunal, ndërsa me një propozim të tillë vetë kuvendarët kishin dalë më datë 31 janar 2012. Kuvendarët e Lipjanit, ndërkaq, atëkohë propozonin me një vendim të veçantë paga më të larta për vete, madje duke arritur një lartësi prej 700 eurosh në muaj.
Dhe, 700 euro në muaj ata i kërkonin bazuar në 30 për qindëshin e asaj që marrin për një muaj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në nivel qendror. Ndërkohë që, shoqëria civile nuk është pajtuar që kuvendarët të kenë rritje aq të madhe të pagës. Bekim Krasniqi, udhëheqës në Asociacionin rinor për të drejtat e njeriut (YAHR) e ka quajtur absurditet propozimin eventual që këshilltari të marr mbi 700 euro pagë në muaj.
“Organizata Joqeveritare YAHR nuk përkrah asnjëherë rritjen e lartë të të ardhurave personale si këshilltarë të Kuvendit komunal, rritje ajo që do të ndikonte drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetareve të Komunës së Lipjanit, sepse në qoftë se ka një vendim nga niveli qendror për rritje pagash të këshilltarëve atëherë direkt dëmtohet buxheti komunal që do të detyrohej pastaj të destinojë mjetet për këto paga”, ka thënë Krasniqi.