Tri subjektet opozitare Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën” kanë kërkuar edhe një herë largimin e kryeministrit të Republikës, Isa Mustafa, dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi, si dhe kanë thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të menjëhershme. Ndërsa, në Qeveri thonë se vendimi i Kushtetueses nuk i zhbën marrëveshjet, por i vërteton ato.
Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se për opozitën marrëveshja për “Zajednicën” është e anuluar.
“Për katër muaj rresht ne si opozitë bashkë me qytetarët, përmes peticionit, protestave e kemi thënë atë gjë që u vërtetua edhe dje nga Gjykata Kushtetuese. Për ne, si e tillë marrëveshja për ‘Zajednicën’ është e anuluar. Të dy edhe Mustafa edhe Thaçi kanë bërë shkelje flagrante të Kushtetutës. Kërkojmë urgjentisht largimin e të dyve. Ose dorëheqje, ose largim”, ka thënë Ymeri.
Ymeri po ashtu ka thënë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që, siç thotë ai, klika antikushtetuese Mustafa-Thaçi, të vazhdojë me rrënimin dhe uzurpimin e shtetit.
Ndërkaq, Ahmeti Isufi nga radhët e AAK-së ka thënë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese triumfoi zëri i qytetarëve bashkë me opozitën në mbrojtje të interesave të Kosovës.
“Dje u vërtetua se kjo Qeveri e cila shkeli interesin e Kosovës përfundimisht duhet të shkojë dhe të lëshojë rrugë, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë një qeveri tjetër e cila bazohet në vullnetin e tyre. Dje zëri i qytetarëve triumfoi bashkë me opozitën, e cila si çdoherë ishte e gatshme në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Ne konsiderojmë se menjëherë duhet të lirohen të gjithë deputetët të cilët padrejtësisht mbahen në paraburgim dhe janë akuzuar duke qenë mbrojtës të Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit”, ka thënë Isufi. /Zëri/


