Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, ka folur për vendimin që pritet të merret të mërkurën ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Kurti tha se për Qeverinë gjithçka është e qartë sa i përket luftës së UÇK-së, duke e cilësuar atë si luftë çlirimtare kundër një pushtuesi që, sipas tij, ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Për ne është gjithçka e qartë. Populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë, kanë qenë qartazi çlirimtare dhe kundër një pushtuesi, i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se shpreson që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë, duke uruar që drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre.
“Besojmë dhe urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pranë familjeve”, ka thënë Kurti.


