Kurti për rezultatin e zgjedhjeve: Mund të ketë pasur lëshim nga ana jonë, jo ndëshkim nga votuesit

PUBLIKUAR

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale, ku partia e tij i fitoi katër komuna nga 38 gjithsej.

Kurti tha se ka ekzistuar një lëshim nga ana e strukturave të VV-së, por nuk ka pasur ndëshkim nga votuesit.

“Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit. Mendoj që mund të ketë pasur lëshime nga ana jonë, e strukturave tona. Por, unë besoj që qytetarët nuk e duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundrazi. Në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti, ne u bëmë me votat e gjithmbarshme të parët edhe në nivel vendi, siç kemi qenë edhe në zgjedhjet parlamentare. Pra, në vitin 2017 ishim në nivelin e tretë, në rangun e tretë për zgjedhjet lokale. Tash jemi të parët edhe aty”, është shprehur Kurti.

Tutje, rreth kësa jteme, Kurti tha se ka pasur paraprakisht një takim me 12 kandidatët e VV-së që kanë qenë në balotazh dhe është duke pritur një raport nga shtabi zgjedhor i VV-së.

“Së pari, unë kam zhvilluar tashmë një takim me 12 kandidatët që i kemi pasur në balotazh – edhe ata që kanë fituar, edhe ata që nuk kanë fituar. Jemi duke pritur një raport të shtabit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazën e të cilit pastaj do të diskutojmë në kryesi. Ajo që mund të them se është evidente, është [fakti] se Lëvizja Vetëvendosje, në këto vitet e fundit, në këta katër vjetët e fundit, është rritur jashtëzakonisht shumë. Ne nuk kemi më as struktura, as organizatë, e cila është e përshtatshme për nga përmasa dhe as funksionale për nga përbërja, që t’i përgjigjet një rritjeje të këtillë. Pra, edhe zgjedhjet e 6 tetorit, 2019, edhe zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, na e kanë rritur shumë mbështetjen si Lëvizje Vetëvendosje dhe nuk kemi arritur që të mbajmë zgjedhje të brendshme dhe të krijojmë struktura që do të ishin adekuate për këtë situatë. Kjo është evidente, por natyrisht se ka edhe defekte të tjera, me të cilat do të na duhet të merremi”, ka thënë Kurti.

Edhe një herë, Kurti tregoi se rezultati — VV-ja mori vetëm 4 komuna nga 38 — nuk është i kënaqshëm.

“Ne kemi pritur që do të kemi rezultat më të mirë dhe, rrjedhimisht, rezultati nuk është i kënaqshëm”, shtoi Kurti./Express/

SHIKO MË SHUMË

Jakup Krasniqi përfundon sot vizitën në Kosovë – në ora 15:00 niset për në Hagë

Ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi, pritet të largohet nga Kosova, të shtunën pas vizitës katërditore për...

Punime në rrjet, këto vende mbesin pa rrymë

KEDS ka njoftuar se cilat vende mbesin pa rrymë përkohësisht sot për shkak të...

QKUK paralajmëron rrënimin e objekteve pa leje në oborrin e saj: Hapësirat e uzurpuara me vite po u kthehen qytetarëve

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka paralajmëruar rrënimin e objekteve pa leje në oborrin...