Më shumë se katër muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, pyetja është se kur kosovarët mund të shkojnë në Bosnjë vetëm me letërnjoftim.
Kësaj pyetjeje iu përgjigj sot zëvendëskryeministrja e Kosovës që vjen nga komuniteti boshnja, Emilia Rexhepi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, raporton Gazeta Express.
Ajo tha se shpresojnë që muajin tjetër kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Bosnjës.
“Kuvendi e ka ratifikuar. Institucionet e Bosnjë e Hercegovinës ende nuk e kanë bërë ratifikimin. Propozimi nuk ka kaluar në Këshillin e Minitrave që të vijë në Kuvendin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës”, tha Rexhepi.
“Shpresojmë që së shpejti do të përfundojë kjo pasi jemi të lidhur edhe me afatin. Shpresojmë që do të bëhet muajin tjetër”, theksoi zëvendëskryeministrja.
Milorad Dodik, president i entitetit Republika Srpska e kishte vënë në pikëpyetje të gjithë procesin, i cili do t’i lejonte qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës dhe ata të Kosovës të udhëtojnë pa viza nga një vend në tjetrin.


