Edhe pse publiku priste që shfaqja “VIZA” nga “Teatri i të rinjëve të Lipjanit” të merrte vendin e parë në festivalin e komedisë në Mitrovicë, kjo gjë nuk ndodhi. Vendi i parë iu dha shfaqjes “Spirro” të teatrit “Migjeni” nga Shkodra.
Ndërsa “VIZA” ishte diskualifikuar, sipas Halit Baranit, për shkak të përdorimit të fjalëve banale, e që sipas tij ishin përdorimi i fjalëve “patligjan e spec”. Gjë që qoi në reagimin e regjisorit të shfaqjes “VIZA”, Mërgim Oruqit, po ashtu edhe të Adem Zhitopotokut, aktor në Mitrovicë. “Në shfaqjen fituese përveç përdorimit të “gishtit të mesëm” kishte edhe akte në të cilat shfaqeshin edhe skena të gjesteve erotike e në një pjesë edhe valvitej fustani, nga lart, i njërës nga aktoret.
Nëse këto nuk janë banalitet e “patligjani” po, atëherë mua më vjen keq që ua kam dhënë kënaqësinë ta kenë “VIZA”-në pjesë të festivalit” u shpreh Oruqi, regjisor i shfaqjes. Ai po ashtu tha se “VIZA” është shpërblyer me dy çmime në Kamenicë dhe ka mbledhur mbi 1 mijë shikues në Lipjan, kurse në Mitrovicë ajo është vlerësuar nga joprofesionistët, prandaj edhe është diskualifikuar.
Adem Zhitopotoku, aktor i Mitrovicës reagoi ashpër duke thënë që “VIZA” nuk duhej të diskualifikohej në asnjë mënyrë, sipas tij publiku e pëlqeu pa masë këtë shfaqje dhe se kjo u vërejt nga reagimi i tij kundrejt aktorëve dhe duartrokitjeve të tyre. Ai po ashtu u fjalos me regjisorin nga Shkodra duke e akuzuar për keqpërdorimin e 10 mijë eurove të teatrit të Mitrovicës, për të cilat nuk deshi të komentonte më tutje.
Të shtunën u luajt shfaqja e trupës nga Shkodra dhe pas saj do të bëhej ndarja e çmimeve të festivalit. Por menjëherë pas shfaqjes publiku kishte lëshuar sallën duke mos pritur ndarjen e çmimeve.
I pyetur se pse kishte vepuar kështu, një shikues u përgjigj “kjo shfaqje në Shkoder mund të jetë shumë e mirë por këtu ajo nuk kuptohej asgjë, nuk mund t’i dëgjoja çfarë po flisnin, ishte diçka për komunizmin apo nuk e di, u mërzita shumë”, u shpreh Arditi. I pranishëm në ndarjen e çmimeve ishte edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ndau çmimin e tretë dhe të dytë e që i takoi teatrit të Suharekës dhe Skenderajit/Valon Gerveshi/


