Drejtuesit e institucioneve dhe të subjekteve politike në vend kanë uruar qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të nëntë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Në këto urime përveç tjerash bëhet thirrje për angazhim në drejtim të forcimit të shtetit dhe të krijimit të mirëqenies për qytetarët. Gjithashtu me rastin e përvjetorit të Pavarësisë janë përkujtuar dëshmorët e rënë për lirinë dhe për pavarësinë e vendit.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke uruar përvjetorin e nëntë të shpalljes së Pavarësisë ka thënë se 17 Shkurti është ditë që na bënë krenarë për të kaluarën tonë dhe të sigurt për të ardhmen evropiane.
“Dita e Pavarësisë është ditë që na mbush me emocione të gjithëve. Është ditë që na bënë krenarë për të kaluarën tonë, të sotmen dhe për të ardhmen e sigurt evropiane.
Dita e Republikës është dita juaj! Është ditë kur kujtojmë shumë e shumë gjenerata, prindër dhe familjarë tuaj, që ëndërruan, punuan dhe sakrifikuan që ne ta gëzojmë këtë ditë. Urime të gjithëve Dita e Pavarësisë. Kosova është vend i paqes dhe i dashurisë”, thuhet në urimin e Thaçit.
Kurse, kryeministri Isa Mustafa në urimin e tij për Ditën e Pavarësisë e ka veçuar ish-kryeministrin, Ramush Haradinajn.
“Juve që çdo ditë po e vëni nga një gur në shtatin e Kosovës që sot i mbushi 9 vjet, juve bashkatdhetarë tanë që prore shikoni kah Kosova të cilën e mbështetët aq shumë në fazat më delikate, juve familjeve të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së, ju uroj këtë përvjetor të madh të Pavarësisë së shtetit tonë. Këtë përvjetor, kësaj radhe, ia uroj veçmas ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili pa të drejtë po mbahet jashtë vendit me fletarrestim të serbëve që kryen krime sistematike në Kosovë”, ka uruar Mustafa.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, urimi e tij për nëntëvjetorin e Pavarësisë së vendit e ka bërë përmes një videoje, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe disa fëmijë.
Ai uroi të gjithë qytetarët përderisa vlerësoi që Kosova ka arritur shumë dhe u ka treguar të gjithë kundërshtarëve që populli i Kosovës ia ka dalë.
Në anën tjetër, ka munguar urimi nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”.
Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj, ka uruar përmes një deklarimi në televizionin publik.
“Shpallja e Pavarësisë është ngjarje e madhe për Kosovën, viti 2008 është një vit i rëndësishëm për Kosovën… Duhet të punohet shumë që vendi të zhvillohet, por pushtetarët e sotëm janë shkaktarë të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet vendi”, ka deklaruar ndër të tjera Haradinaj.
Kurse kreu i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka thënë se në këtë ditë duhet t’i nderojmë dëshmorët, falë të cilëve Kosova e gëzon këtë pavarësi.
“Në këtë ditë tonën të madhe, të cilën e shënojmë dhe nderojmë e për të cilën dhanë jetën qindra e mijëra dëshmorë, ne duhet dhe përkulemi para Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, ku si rezultat i luftës dhe gjakut të tyre e të luftës së shenjtë të UÇK-së, e ndihmës së vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, SHBA-së, shteteve të BE-së dhe jo vetëm, ne sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë. Urime!”, ka shkruar Limaj.
Me rastin e 17 Shkurtit Kosovën e kanë uruar edhe krerët shtetërorë e diplomatë të vendeve mike. /zeri/


