Dje përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që, sipas tyre, kanë bërë zëvendësimin e paligjshëm të një anëtareje të PDK-së.
“Vetëvendosja” dje kishte bërë me dije se ka paditur KQZ-në, pasi sipas tyre, ata kanë bërë zëvendësimin e asamblistes së PDK-së në Kuvend Komunal, Lirjeta Rexhepi-Leci, duke e zëvendësuar me asamblisten e re të PDK-së, Egzona Podrovica.
Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë për Gazetën Express se Komisioni i ka plotësuar të gjitha kriteret e zëvendësimit, duke shtuar se kërkesa për zëvendësim ka ardhur nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë më datën 07.10.2016.
“Zëvendësimi i anëtares së Kuvendit Lirjeta Rexhepi-Leci është bërë për arsye të mungesës së saj 3 muaj rresht në seancat e Kuvendit Komunal”, thotë KQZ.
“KQZ-ja ka shqyrtuar këtë kërkesë të bërë nga kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë, bazuar në të gjitha shkresat e bashkangjitura, KQZ në bazë të nenit 10.3 të Ligjit nr.03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, nenit 37.2 pika (e) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, si dhe nenit 8 të Udhëzimit Administrativ të KQZ’së, Nr.01/2013, për Zëvendësimin e Anëtarëve të Kuvendeve Komunale, ka emëruar kandidaten e radhës sipas listës së rirenditur, nga subjekti i njëjtë politik, i gjinisë së njëjtë dhe me numër të madh të votave, sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve lokale 2013”, thonë zyrtarë të KQZ-së për Express.
Padinë e ka ngritur shefi i asamblistëve, Qëndron Kastrati nga “Vetëvendosja”. /GazetaExpress/


