Kosovë: 17 vjetori i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë

PUBLIKUAR

Sot shënohet shtatëmbëdhjetë vjetori i sulmeve ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana.

Bombardimet mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe e pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Pas bombardimeve u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.

Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë persona të pagjetur dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i konfliktit në Kosovë.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Holokaustit, pati deklaruar se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, ende qëndron në Kosovë dhe ndihmon në transformimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës. /Rel/

 

SHIKO MË SHUMË

Kusari-Lila në Tiranë: Kosova synon integrim më të madh të produkteve vendore në tregun evropian

Ministrja e MINTI-it, Mimoza Kusari-Lila, sot në Tiranë, me organizim të Ministrisë së Ekonomisë...

220 persona aplikojnë për azil në Kosovë, këta janë shtetasit që prijnë me kërkesa

220 persona kanë aplikuar për azil në Kosovë, që nga janari e deri më...

Sveçla: Gjatë qeverisjes “Kurti 2” u fuqizua siguria dhe u luftua krimi i organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes “Kurti 2”...