Tre vjet më pare, Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), mbajti një debat me temën “Lëndët zgjedhore në shkolla të mesme dhe rëndësia e lëndës ‘Njohuritë për Medie’”.
Nga ajo kohë, çdo gjë ka mbetur vetëm në kornizën e këtij debati, edhe pse futja e lëndës për media në arsimin parauniversitar të Kosovës ishte cilësuar si shumë e nevojshme, pasi nxënësit e shkollave të mesme do të përfitonin shumë duke u njohur me efektet pozitive dhe negative që i ka media.
Një arsye tjetër pse kjo lëndë duhet të inkuadrohet në arsimin parauniversitar, është se sot mësimi nuk është klasik dhe nxënësit mësojnë jo vetëm në shkollë, po edhe nga mediat, gazetat, radiot, televizioni, internetit etj.
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), përmes një përgjigje me shkrim dhënë për portalin tesheshi.com, ka thënë se pas rishikimit të dokumenteve kurrikulare, lënda “Edukimi për Medie” do të përfshihet në Kornizën e Kurrikulës së arsimit parauniversitar të Kosovës si çështje ndërkurrikulare për të gjitha fushat kurrikulare (shtatë fusha kurrikulare).
“Edukimi për medie mund të jetë lëndë me zgjedhje (lëndë, modul, projekt)”, ka thënë Faton Fetahu, asistent i Ministrit, Arsim Bajrami. /tesheshi/


