Dje mediat në Kosovë kanë raportuar se Komuna e Drenasit do të furnizojë nxënësit me hamburgerë. E për këtë ka reaguar kjo komunë, duke e demantuar një lajm të tillë.
Ja çfarë thuhet në reagimin e Komunës së Drenasit:
Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të sqaroj opinionin lidhur me shkrimin në disa portale ku thuhet se Drenasi furnizon nxënësit me hamburgerë, gjë e cila aspak nuk qëndron dhe për keqardhje janë bërë portalet kosovare të cilat e hutojnë edhe qytetarin dhe se nuk i kanë burimet e informatës.
Komuna e Drenasit ka lidhur një kontratë kornizë për 24 muaj me një operator ekonomik, kontratë e cila ka të bëjë për aktivitetet jashtë procesit të rregullt mësimor dhe është sipas nevojës.
Kjo kontratë është lidhur me operatorin ekonomik për krose pranverore dhe vjeshtore që organizohen në shkolla, përmes Drejtorisë së Kulturës, për garat e diturisë “Gjuhëtari i Ri”, “Matematicientët e rinj”, garat në futboll, në projektin “vështirësitë në shkrim dhe lexim tek nxënësit e arsimit fillor”, si dhe ushqim dhe pije freskuese për administruesit që e menaxhojnë testin e arritshmërisë për klasat e nënta, nëse është ditë pushimi.
Vlera e kontratës është rreth 5 mijë e 774 euro dhe nuk ka të bëjë me ushqim të rregullt për nxënës, vetëm kur janë të përcaktuara projektet.
Kjo kontratë shërben për furnizimin me ushqim modest, një hamburger dhe një pije freskuese, sipas nevojës së projektit nëse ai realizohet – nëse nuk realizohet nuk ka shpenzim.
Komuna e Drenasit ka gjithsej 14 mijë e 324 nxënës, me këtë vlerë të kontratës, nuk do mund të blinte as nga një laps, e lere më të furnizonte gjithë këta nxënës me hamburgerë e pije freskuese për secilën ditë mësimi.
Sa për informim, Komuna e Drenasit ka në implementim një projekt me IDAK-në, ku ka hapur 3 kuzhina në shkolla (shkollën “Rasim Kiqina”, në “Halil Bajraktar” dhe “Arif Shala”), dhe janë punësuar 12 gra kryefamiljare dhe shumë shpejt pritet të hapet edhe kuzhina e katërt në shkollën “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran. /Telegrafi/


