Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një komunikate për media thekson se kohëve të fundit është rritur numri i veturave zyrtare që dëmtohen nga persona të panjohur, duke ua thyer xhamat me gurë apo duke i vënë flakën.
Sipas KMDLNJ-së, në 24 orët e fundit i është vënë flaka veturave të familjes së ministrit Krasniqi dhe të asaj të familjes së zëvendësministrit Gecaj përkatësisht veturave në pronësi të grave të tyre.
“Ndonëse është dëmtuar një numër i madh i veturave zyrtare, janë gjuajtur me vezë politikanë të rangut të ndryshëm, deri më tani nuk ishte sulmuar dhe rrezikuar prona private. Për KMDLNj – në është e habitshme dhe i pakuptueshëm fakti që deri më tani nuk janë identifikuar sulmuesit që duket se veprojnë në mënyrë të organizuar prandaj edhe po intensifikohet aktiviteti i tyre i cili po mbetet i pandëshkuar dhe se ligji para këtyre sulmuesve të pronës publike dhe private po mbetet i pafuqishëm”, thuhet në reagim.
KMDLNj ka frikë se, për shkak të mosfunksionimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, qytetarët do të marrin ndarjen e drejtësisë në duart e tyre e që nënkupton thellimin e krizës në Kosovë dhe futjen shumë të mundshme në një kaos të përgjithshëm.
“A janë këto djegie të veturave vetëm hyrje në një situatë kur forcat që nuk i duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj të ndërmarrin sulme terroriste sepse po krijohet një mundësi e mirë për këto sulme. KMDLNj dënon ashpër sulmet dhe shkatërrimet e pronës publike dhe private dhe kërkon nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për parandalimin e këtyre sulmeve dhe kapjen e sulmuesve duke i sjellur para organeve të drejtësisë dhe duke i dënuar sipas ligjeve në fuqi. Në të kundërtën, këto sulme vetëm se do të vazhdojnë dhe pasojat do të jenë të paparashikueshme ndërsa përgjegjësia do të jetë e të gjithë atyre që kanë kontribuar në tensionimin e situatës, thellimit të krizës, mosveprimit në zbatim të ligjit apo arsyetimit të veprimeve me porosi të dhunshme! Duhet të veprohet derisa nuk është bërë vonë!”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


