Nuk ka qetësi për Dani Alvesin.
Futbollisti brazilian gjendet aktualisht në burg, në pritje të vendimit nga gjykata pasi po akuzohet për dhunë seksuale.
E tash, atij po i dalin probleme edhe nga jashtë, shkruan “Gazeta Express”.
Klubi Pumas, me të cilin kishte nënshkuar së fundmi kontratë për një vit e gjysmë, nuk është i kënaqur me largimin e futbollistit brazilian, të cilit do t’i kërkojë edhe dëmshpërblim për thyerjen e rregullave që ishin paraparë rreth kontratës.
Mediumi brazilian “UOL” bën të ditur se klubi meksikan ia ka dërguar përfaqësuesit të deridjeshëm brazilian një e-mail, përmes së cilit ia kërkon 5 milionë dollarë si dëmshpërblim, përcjell “Gazeta Express”.
Klubi iu referua një klauzole e cila “e penalizon çdo akt që konsiderohet si krim sipas ligjit të vendit në të cilin ka ndodhur”.
Pumas, ndër të tjera ka kërcënuar se do t’i drejtohet FIFA-s dhe çdo autoriteti kompetent për këtë çështje në rast të mos-kompensimit.
Alves po akuzohet për përdhunimin e një vajze në një klub nate të Barcelonës më 30 dhjetor të vitit që shkoi, shkruan “Gazeta Express”.
Gruaja e tij thuhet se e ka kërkuar divorcin, ndërsa ish-futbollisti i Barcelonës, Juventusit dhe Paris Saint-Germainit rrezikon të dënohet me disa vite burg.


