Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka bërë të ditur se skuadra e tij do të jetë e plotë dhe nuk do të mungojë askush për ndeshjen e së dielës kundër Everonit, në kthimin e sezonit të Premierligës.
Liverpooli do ta rinisë sezonin 2019/20 të Premierligës me ndeshjen e së dielës kundër Evertonit, e cila do të zhvillohet në stadiumin Goodison Park pa tifozë të pranishëm, transmeton Gazeta Express.
Djemve të Kloppit do t’i duhet vetëm edhe një fitore tjetër për ta siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit nëse i marrin tre pikët e ndeshjes kundër Evertonit, pasi që për momentin kanë epërsi prej 22 pikësh në krye të tabelës.
Liverpooli ishte mbresëlënës në tentimet për ta siguruar titullin e parë të ligës në 30 vjet, para se kriza e koronavirusit ta ndërpriste kampionatin në mars. Liverpooli i kishte fituar deri më atëherë 27 nga 29 ndeshjet e zhvilluara.
Klopp tani ka konfirmuar se askush nuk do t’i mungojë nga skuadra për kthimin e Premierligës, duke paralajmëruar se tifozët mund ta presin një Liverpool të njëjtë edhe për nëntë ndeshjet e fundit.
“Për momentin, s’e kemi askënd që s’do të mundë të luajë të dielën, por duhet ta shohim”, ka thënë Klopp.
“Disa janë stërvitur më shumë, disa janë stërvitur më pak. Por, shumica janë stërvitur në të gjitha seancat dhe ky është një lajm shumë i mirë”.
“Në fund, jam 100 për qind i sigurt, se do ta kemi një skuadër të mirë në fushë”. /Gazeta Express/


