Qeveria e Kosovës ka miratuar sot kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPDJ) për t’i vendosur sanksione Rusisë, pasi ky shtet të enjten vendosi që të ndërmarrë hapa ushtarak për ta pushtuar Ukrainën, shkruan Gazeta Express.
Fillimisht kryeministri Albin Kurti tha se qëndrojnë krahë shteteve perëndimore për të siguruar paqen dhe mbrojtjen e sigurisë në botë, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Qëndrojmë bashkë për paqe dhe siguri dhe mbrojtjen e demokracisë. Kemi si pikë të parë shqyrtimin e propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Kosovës vendosë sanksione në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe të Këshillit të BE-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, ka thënë Kurti.


