Përfaqësuesit sindikalë kanë paralajmëruar grevë në qoftë se nuk bëhen ndryshime në Projektligjin për Paga për Mësimdhënësit. Edhe opozita e kundërshton projektligjin i cili, sipas tyre, e degradon mësimdhënësin
Mësimdhënësit kosovarë janë të rrezikuar që t’u ulen pagat, pasi që profesioni i mësimdhënësit rangohet i fundit në listën e gradimeve.
Gradimet që janë paraparë me Projektligjin për Pagat, sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e radhisin mësimdhënësin më poshtë se të gjitha fushat e tjera. Përfaqësuesit sindikalë kanë paralajmëruar grevë në qoftë se nuk bëhen ndryshimet në Projektligjin për Arsimin. Nga kjo Sindikatë thonë se mësimdhënësit edhe me koeficient qëndrojnë më poshtë se të gjitha profesionet e tjera. Krerët e SBASHK-ut kanë bërë të ditur se kjo Sindikatë po vazhdon me angazhimet që përmes dialogut me institucionet e Kosovës të arrijë marrëveshje për përmirësime në Projektligjin për Pagat.
Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë se po kërkojnë që profesioni i mësimdhënësit të rangohet në vend të merituar. “Konstatojmë se Projektligji për Pagat është degradues për profesionin e mësimdhënësit. Kërkojmë që të korrigjohet ky projektligj dhe që profesioni i mësimdhënësit të mos mbetet i pozicionuar aq ulët, por të rangohet në vend të merituar”, tha ai.Jasharaj ka thënë se është vendim i përbashkët i të gjitha strukturave të Sindikatës që nëse nuk ka reflektim nga Qeveria, atëherë SBASHK-u pakënaqësinë do ta shprehë edhe përmes organizimit të veprimeve sindikale./zeri/


