Ja pse e ka hapur llogarinë në Facebook, Isa Mustafa, sipas Visar Ymerit

PUBLIKUAR

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Isa Mustafa në drejtim të Opozitës.

Sipas Visar Ymerit, Isa Mustafa siç duket e ka hapur llogarinë e tij në Facebook, vetëm për të vjellë vrer ndaj Opozitës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mustafa kishte folur edhe rreth arritjeve të Kosovës në këto vite, si dhe rreth zhvillimeve të fundit politike, përkatësisht aktiviteteve të Opozitës.

“Shtrohet pyetja: Kush dhe kah po i financon gjithë këto aktivitete kundër shtetit. Lypset para e madhe për materiale propaganduese, spote e reklama në media, shpenzime të transportit të protestuesve, performansa të llojllojshme ditore?! Ligji obligon të kontrollohen këto shpenzime”, ka shkruar Mustafa.

Ja reagimi i Ymerit:

Isa Mustafa si duket e çeli llogarinë e tij në facebook vetëm për të vjellë vrer ndaj opozitës.

Kryeministrit impotent ndaj Serbisë dhe diktator ndaj popullit të vet nuk i mjafton përdorimi i dhunës ekstreme policore kundër protestuesve dhe opozitës, që kulmoi në një skandal të paprecedent, siç ishte thyerja e zyrës së subjektit më të madh opozitar, me njësite speciale të armatosura rëndë.

Ai që i dërgoi policët e armatosur të shtypnin një subjekt që kurrë nuk ka prekur armë gjatë aktivitetit të vet politik, është njeriu më i interesuar për thellimin e konfliktit në vend. Këtë e tregojnë edhe fjalët e tij.

Isa Mustafa i cili bashkë me partinë e vet ka qejf të vetëquhet institucionalist dhe opozitën ta quajë anarkiste, në fakt është shkelësi më i madh i ligjit në Kosovë. Ai ka nënshkruar me vetëdije të plotë një marrëveshje që bie në kundërshtim me Kushtetutën, jo një herë por 23 herë. Kudo në botën demokratike një gjest i tillë do të dënohej me burg. Ndërsa Isa Mustafa sillet si autokrat, dhe nuk jep as dorëheqjen. Çfarë institucionalisti mund të jetë ai që shkel kushtetutën e tij dhe nuk i bëhet vonë për këtë gjë?

Isa Mustafa ka qejf të flasë dhe për antikorrupsion e për drejtësi. A ju kujtohet se si akuzonte dikur SHIK-un për kapje shteti e për vrasje politike. E sot SHIK-u i shkruan fjalimet e Mustafës, madje ia shkruan edhe statuset në facebook.

E kur Isa Mustafa thotë se ne nuk e respektojmë policinë, ai nuk guxon t’i përmendë se si i kanë pushuar këto ditë nga puna policët vetëm pse kanë gjobitur një ministër. As nuk guxon të përmendë policët e burgosur pse kanë arrestuar kriminelë serbë. As nuk guxon të përmendë se si familjarët e shokëve të Isës i rrahin policët me shpulla e nuk i gjen asgjë. Ky është respekti i Isës dhe shokëve të tij qeveritarë për policinë e Kosovës?!

Ne do të bëhemi vend me demokraci e drejtësi, me sovranitet e zhvillim. Isa, Hashimi e Kadriu e duan këtë vend të jetë autoritar, ku qeveritarët preferojnë të shkatërrojnë gjithçka por pushtetin nuk e lëshojnë kurrë. /Telegrafi/

 

SHIKO MË SHUMË

Pritje deri në 90 minuta në Dheu i Bardhë, kolona të gjata në disa pika kufitare

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar përditësimin e fundit të gjendjes në pikat...

Pritje deri në një orë e gjysmë, kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare

Tashmë në sezonin e verës me ardhjen e mërgimtarëve në pikëkalimet kufitare me Kosovës...

Përparim Rama: Krejt makineria propaganduese e VV-së në aksion kundër meje në ditën e Kuvendit të LDK, interesant

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar para pak minutash në profilin e tij...