Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Real Madridit dhe Anglisë, Michael Owen, ka thënë se e urrente të luante futboll në karrierën e tij, për shkak të lëndimeve të shpeshta, të cilat thotë se e kishin tmerruar.
Oweni e fitoi Topin e Artë në vitin 2001 si lojtar i Liverpoolit, si dhe i ka shënuar 222 gola gjatë karrierës së tij me klube, të cilës i dha fund në vitin 2013, transmeton Gazeta Express.
Por, ai thotë se lëndimet e kishin detyruar ta ndryshonte stilin e lojës, një proces që filloi kur e kishte çarë muskulin në kofshe, në moshën 19-vjeçare, lëndim që e kishte lënë pesë muaj jashtë fushës.
“Kam qenë i shpejtë, vrapoja në hapësira të ngushta, duke i kaluar kundërshtarët. I tillë kam qenë, krahasuar me gjashtë vitet e fundit të karrierës sime kur u shndërrova në gjënë e vetme që mundja”, tha Owen.
“Kisha frikë të vrapoja në hapësira të ngushta. E dija se do ta çaja muskulin nëse do ta bëja. Gjëja më e keqe për këtë është se instinkti të thotë të bësh atë që e kë bërë gjithë jetën, por pastaj nis të mendosh: ‘Oh jo, mos e bëj’”, shtoi ai.
Owen – i cili i shënoi 40 gola në 89 paraqitje për Anglinë – thotë se frika të bënte vrapime të shpejta në fushë kishte bërë që të vendosje në pozicione ku bashkëlojtarët nuk ia pasonin topin, gjë që e kishte detyruar t’i ndiqte kundërshtarët për ta rifituar topin.
“Për gjashtë apo shtatë vjet, e urreja. Mezi prisja të dilja në pension”, ka thënë Owen.
Lëndimet e kishin nxitur Owenin ta mendonte pensionimin plot herë. Ai thotë se i kishte ofruar Stoke Cityt t’i jepte fund kontratës në dhjetor të vitit 2012, para se përfundimisht të pensionohej më 2013. /Gazeta Express/


