Ish-diplomati amerikan: Kosova ka Kushtetutë jofunksionale

PUBLIKUAR

Nëntë vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktin më të lartë juridik vazhdojnë ta përcjellin sfida të pakalueshme të ndryshimit.

Për këto nëntë vjet, u ndërmorën disa nisma për ndryshimin dhe amendamentimin e kësaj Kushtetute, por të cilat në fund u përmbyllën pa sukses.

Si shtet shumëetnik, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.

Si e tillë, Kushtetuta e Kosovës, sipas ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, në disa raste e ka bllokuar vendin në shumë procese të rëndësishme. Aktualisht, ndryshimet kushtetuese po e mbajnë peng formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ish-diplomati amerikan dhe shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën në vitin 2000, Louis Sell, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare ia ka përshkruar Kosovës, në një mënyrë, një Kushtetutë jofunksionale dhe tani duhet t’i ndihmojë Kosovës që përmes procedurave kushtetuese ta krijojë ushtrinë.

Sell thotë se është e kuptueshme që Kosova e do ushtrinë e saj, por ky proces varet nga marrëdhëniet e saj me vendet perëndimore dhe prandaj Kosova duhet ta kuptojë seriozisht atë që i thonë miqtë – që ky proces të kryhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare është ajo që, në një mënyrë, e ka ngarkuar Kosovën me një Kushtetutë jofunksionale, e cila një grupi i mundëson që nën udhëzimet e një shteti tjetër të bllokojë ndryshimet e mëdha, siç janë këto”.

“Tani varet nga bashkësia ndërkombëtare që duhet të përcjellë procedurat kushtetuese për të gjetur mënyrën se si të ndodh kjo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova duhet të shoh interesat e saj”, tha Sell.

Sipas tij ‘Kosova duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare gjithnjë deri sa ajo të luan drejt’.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i në Qeverinë e Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta, që nga miratimi i saj është sfiduar, por sipas tij, janë ndërtuar edhe mekanizma që e mbrojnë Kushtetutën nga sfidimet.

“Ka nevojë që Kushtetuta të jetë edhe më evolutive se sa që është norma juridike. Natyrisht veçantia e ndryshimit ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve shtetërore. Kjo ka ndodhur edhe më herët. Por, tani ka të bëjë sa u përket kapaciteteve të armatës së Kosovës. Ajo çka dua të them që shtrirja e saj, respektimi i saj, është për tërë territorin e vendit, por njëkohësisht kërkohet, po e quaj, respektim nga të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh etninë e tyre”, tha Kuçi.

Kuçi tha se Kushtetuta e vendit ka lejuar që të vihen bazat e shtetit sovran dhe demokratik dhe, siç tha ai, aty janë të parapara mundësitë dhe detyrat që të inkorporohen minoritetet në kuadër të institucioneve dhe shoqërisë.

“Ndryshimet politike që kanë ndodhur në vitin 2014 me Listën Serbe, kanë krijuar pengesa të tilla, e kundërta ka qenë më herët, kur asnjë pengsë në ndërtimin e institucioneve tona nuk ka ndodhur”, tha Kuçi.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute, rrjedh nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i presidentit Marti Ahtisaari, ku u janë përshkruar të drejtat e veçanta grupeve minoritare.

/REL

SHIKO MË SHUMË

Kërkesë publike për Arben Vitinë, mes lotësh flet asamblistja e VV-së sqaron pse e bëri kërkesën

Asamblistja e VV-së në Rahovec, Vlora Vuqiterna mes emocionesh, ka rrëfyer arsyet që e...

Këto janë zonat që do të mbesin pa energji elektrike sot

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të hënën,...

E pa nga afër performancën skandaloze kundër Kosovës, Dibrani: Turp!

Edlira Dibrani, Ambasadore e Rinisë Evropiane për Kosovën nga platforma WeBalkans, e cila ka...