Drejtori sportiv i Interit, Beppe Marotta, ka thënë se klubi zikaltër është duke pritur të shohë se çfarë do të bëjë Barcelona rreth klauzolës së lirimit të Lautaro Martinez, e cila skadon më 7 korrik.
Marotta ka këmbëngulur se Interi nuk dëshiron t’i shesë yjet, sepse synon ta përforcojë skuadrën si çdo klub tjetër i madh, transmeton Gazeta Express.
“Ne duam ta përforcojmë skuadrën dhe, njëlloj si të gjitha klubet e mëdha, nuk kemi për qëllim t’i shesim yjet”, tha Marotta për Sky Sport Italia kur u pyet për Lautaro Martinezin dhe klauzolën e lirimit të tij në vlerë 111 milionë euro.
“Sa i përket Lautaros, ai e ka një klauzolë e cila i skadon më 7 korrik. Ne jemi duke pritur të shohim se çfarë do të bëjë Barcelona, e pastaj do të takohemi me të. Ajo që ka rëndësi është që lojtari të japë kontribut në skuadër për të arritur rezultate të mëdha”, shtoi ai.
Barcelona po ngurron ta paguajë klauzolën e lartë prej 111 milionë euro dhe nuk po arrin të bjerë në ujdi me Interin për ta bindur të pranojë lojtarë plus para kesh për ta shitur argjentinasin.
Interi këmbëngul se Lautaro largohet vetëm nëse klauzola e tij paguhet.


