Interi përsëri ka bërë një hap mbrapa në luftë për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi të shtunën mbrëma u ndal nga Atalanta e portierit shqiptar Etrit Berisha.
Pas dështimit të javës së kaluar, kur u mposht nga Torino në udhëtim duke mos e shfrytëaur humbjen e Romës në shtëpi, Interi edhe këtë javë ka lëshuar pikë, duke barazuar pa gola me Atalantën.
Në një lojë kryesisht të barabartë, ishin dy portierët Etrit Berisha dhe Samir Handanovic ata që u dalluan në këtë përballje, duke bërë pritje vendimtare në disa raste gjatë kësaj ndeshje të javës së 32-të të Serisë A e cila përfundoi 0-0, raporton Gazeta Express.
Interi vazhdon të jetë në pozitën e pestë, dhe tani ka mbledhur 60 pikë, po aq sa kanë Lazio në vendin e tretë dhe Roma në vendin e katërt. Këto të fundit kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar se Interi dhe do të përballen me njëra-tjetrën në derbin e së dielës.
Ndërkohë, Atalanta e Berishës mbetet e teta me 49 pikë. /Gazeta Express/


