Deri në fund të këtij viti 328 ish-pjesëtarë të mbetur të të ashtuquajturës “Civilna Zastita” do t’i nënshkruajnë kontratat e punës me institucionet kosovare, ndërsa nga 1 janari edhe do të gjenden në listat e pagave nga buxheti i Kosovës.
Çështjet tjera që janë duke u zgjidhur, siç thuhet në raportin e fundit të Qeverisë së Kosovës, e të cilin e kanë bërë publik mediet serbe në veri, sipas marrëveshjes për “Civilna Zastita”-n janë: dorëzimi i zyrave dhe lokaleve të saj në veri, miratimi i një rregullativi buxhetor, me të cilin edhe me ligj do të ndërpritet puna e “Civilna Zastita”-s në Kosovë dhe pagesa e pagave ish-pjesëtarëve të “Civilna Zastita”-s.
Në raportin e Qeverisë së Kosovës, të cilin e transmeton portali “Kossev” në veri të Mitrovicë, 483 personat e paraparë (ish-pjesëtarë të “Civilna Zastita”), në pajtim më planin e integrimit të Qeverisë së Kosovës, do të punësohen në spektrin e gjerë të institucioneve kosovare.
“105 personat e parë tani janë duke punuar dhe marrin paga nga buxheti i Kosovës nga shtatori i vitit 2015, 328 persona do t’i nënshkruajnë kontratat deri në fund të këtij viti dhe do të fillojnë të punojnë dhe t’i marrin pagat nga 1 janari i vitit 2016, 50 personat e tjerë që kanë mbetur do të paguhen nga fondi kosovar për harxhime të paplanifikuara, ndërkohë që do të punësohen vitin që vjen”, thuhet në raportin e Qeverisë së Kosovës. /Zëri/


