Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur detajet rreth veprimeve të saj gjatë zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Policisë, sot rreth orës 12:35, sipas vendimit të kryesisë së kuvendit të Republikës së Kosovës për suspendim të disa deputetëve të opozitës, pasi që disa prej tyre kanë hedhur mjete të dyshuara, si gaz lotsjellës brenda hapësirës së kuvendit dhe aty ku mbahej seanca, është kërkuar nga zyrtarët e sigurimit në kuvend të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për të mundësuar zhvillimin normal të seancës, pas ndërprerjeve të njëpasnjëshme te seancës.
“Me gjithë përpjekjet e sigurimit të kuvendit për realizimin e urdhrit të kryesisë së kuvendit të RKS-së, për largim të deputetëve të caktuar, të njëjtit kanë kundërshtuar duke detyruar sigurimin të veproj konform procedurave të kryesisë së kuvendit. Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.


