Mauro Icardi e ka lëshuar një deklaratë zyrtare, ku insiston se ai tashmë i ka treguar drejtuesve të klubit se dëshiron të qëndrojë në Inter, pasi që zikaltrit i konsideron si familje te veten.
Gazeta e madhe italiane, Gazzetta dello Sport, raportoi sot se Mauro Icardi tashmë ka arritur marrëveshje me Juventusit për t’u transferuar atje gjatë këtij afati kalimtar të verës, transmeton Gazeta Express.
“Duke parë që gjatë kohës së fundit gazetat kanë publikuar artikuj që nuk i reflektojnë mendimet dhe qëllimet e mia, unë dua t’i informoj tifozët se tashmë i kam treguar disa herë klubit që dëshiroj të qëndroj në Inter”, shkroi Icardi në Instagram.
“Kështu që, prej këtij momenti, nuk mund të ketë keqkuptime të këtij lloji. I kuptoj mediumet, ata kanë nevojë të shesin lajme të rreme, por unë nuk mund të bëj asgjë më shumë sesa ta qartësoj këtë lajm vetë”.
“Unë e përsëris: Tashmë i kam treguar Interit se dëshiroj të qëndroj këtu sepse Interi është familja ime. Koha do të tregojë se a po e them të vërtetën. Forza Inter, përgjithmonë”.
Për largimin e Icardit nga Interi është raportuar tash e një kohë të gjatë nga mediat italiane, veçanërisht pas mosmarrëveshjes për shiritin e kapitenit gjatë këtij viti.
Icardi nuk kishte luajtur për Interin për pothuajse dy muaj, pasi i ishte marrë shiriti i kapitenit në shkurt. Pikërisht Wanda Nara i kishte zemëruar drejtuesit e klubit me deklaratat e saj në lidhje me bisedimet për kontratën e re. /Gazeta Express/


