Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, shpreson se mbrojtja e ekipit të tij do t’i përsërisë paraqitjet heroike kundër Lionel Messit dhe Christian Eriksenit në ndeshjen e ardhshme gjysmëfinale kundër Harry Kane në Kupën e Botës në Rusi.
Kane ka dy gola më shumë se përcjellësi i parë në garë për Këpucën e Artë në Rusia 2018, pasi si kapiten e ka dërguar Anglinë në gjysmëfinale të botërorit për herë të parë që prej vitit 1990, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë, Kroacisë iu deshën penalltitë për t’i kaluar dy rundet e kaluara, kundër Danimarkës dhe nikoqirit, Rusisë, derisa Anglia me lehtësi e kaloi Suedinë pasi së pari e kishte eliminuar Kolumbinë në penallti në 1/8 e finales.
Por, pasi e kanë ndalur superyllin e Argjentinës, Lionel Messin, dhe atë të Danimarkës, Christian Eriksen, duke pësuar vetëm një gol në ato dy ndeshje, Dalic është optimist se të njëjtën mund ta bëjnë edhe kundër Kane.
“Do të jetë shumë vështirë, sepse ai është kryegolashënuesi dhe lojtari më i mirë i Anglisë, bashkë me Raheem Sterling”, tha Dalic në një konferencë për media.
“Dejan Lovren e njeh atë dhe luan shumë mirë përkrah Domagoj Vidas, prandaj nuk jam i brengosur se a mund t’i ndalim lojtarët anglezë – i kemi ndalur Messin dhe Eriksenin dhe do të përpiqemi ta bëjmë të njëjtën kundër Kane”, shtoi ai. /Gazeta Express


