Hykmete Bajrami ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2025, duke thënë se të dhënat e raportit dëshmojnë se qytetarët dhe bizneset po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, ndërsa ekonomia po rritet me ritëm të ngadalësuar.
Sipas saj, raporti tregon se ekonomia e Kosovës është rritur me vetëm 3.6 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9 për qind, kryesisht si rezultat i shtrenjtimit të ushqimeve dhe energjisë.
Bajrami theksoi se edhe më shqetësuese janë projeksionet për vitin 2026, sipas të cilave rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind, ndërsa inflacioni të arrijë në 6.7 për qind.
“Pavarësisht gjuhës tejet të kujdesshme të raportit dhe interpretimeve të moderuara këto janë shifra që nuk ka mundësi me u masku. Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie që po mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat – ekonomi që vuan nga inflacion i lartë, rritja ekonomike e pamjaftueshme, deficit tregtar në rritje, importi rekord dhe eksporti në rënie” deklaron Bajrami.
Ky është postimi i plotë i saj:
E thotë qartë edhe Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025, atë që po e themi ne, atë që qytetarët dhe bizneset po e ndiejnë çdo ditë: çmimet po rriten shumë, ekonomia po rritë pak, ndërsa varësia nga importi po thellohet nga viti në vit.
Sipas BQK-së në vitin 2025, ekonomia e Kosovës është rritur vetëm 3.6%, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9%, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Por edhe më shqetësues është parashikimi për vitin 2026, ku sipas BQK-së, rritja ekonomike pritet të jetë 3.5%, pra edhe më e ulët se në vitin 2025, ndërsa inflacioni pritet të shkojë në 6.7%.
Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, çmimet shumë më shpejt shto kësaj faktin se Kosova po importon shumë e po eksporton shumë pak.
Në vitin 2025, importi i mallrave ka arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm rreth 869 milionë euro. Pra, kemi importuar rreth 8 herë më shumë sesa kemi eksportuar.
Deficiti tregtar ka shkuar në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5% krahasuar me vitin paraprak, më i larti në historinë e pasluftës ndërsa eksporti ka pësuar rënë lehtë për 0.2%, e importi është rritur për 10.6%.
Pavarësisht gjuhës tejet të kujdesshme të raportit dhe interpretimeve të moderuara këto janë shifra që nuk ka mundësi me u masku. Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie që po mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat – ekonomi që vuan nga inflacion i lartë, rritja ekonomike e pamjaftueshme, deficit tregtar në rritje, importi rekord dhe eksporti në rënie.
Sipas BQK-së çmimi i energjisë elektrike është rritur për 11.5%, e kur rritet energjia, rritet kostoja për bizneset, rritet çmimi i produkteve dhe në fund krejt këto i paguan qytetari dhe kjo është kosto shumë e lartë se 100 Eurot që shpërndan Qeveria në kohë të zgjedhjeve.
Kosovës i duhet politikë ekonomike që e kthen vëmendjen te prodhimi vendor, te eksporti, te ulja e kostos së energjisë për bizneset dhe te krijimi i vendeve të punës, sepse një ekonomi që importon 7 miliardë euro dhe eksporton më pak se 1 miliard euro, nuk është ekonomi e qëndrueshme – është ekonomi e varur.


