Menjëherë pas uljes së avionit në Rinas, “Kuqezinjtë” u nisën drejt Tiranës me një eskortë të stërzgjatur me makina të mediave dhe të tifozëve që përshëndetën të parët heronjtë e tyre.
Ndalesa e parë e kombëtares ishte Bashkia e Tiranës, ku morën në shenjë mirënjohje nga kryebashkiaku Veliaj “Çelësin e kryeqytetit”.
Në fjalën e rastit, kapiteni Cana falenderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme që kanë treguar për skuadrën në Francë, por edhe me kthimin në atdhe.
Pas Bashkisë, autobusi i Kombëtares mbërriti në Ministrinë e Jashtme, ku pas pritjes së rastit hodhën firmat dhe nisën aplikimin për pasaportat diplomatike, në shenjë mirënjohje për atë që dhanë në Francë.
Pas Ministrisë së Jashtme, “Kuqezinjtë” do t’i drejtohen Kryeministrisë për t’u pritur nga shefi i Qeverisë, Edi Rama dhe më pas drejt Presidencës ku u është rezervuar një tjetër pritje nga Presidenti Nishani.


