Me këtë rast, Edita Tahiri, zëvendës kryeministre dhe kryesuese e Grupit të Grave për nënshkrimin e Peticionit ka thënë se sot në Gjilan ka ardhur për të parë nga afër procesin e nënshkrimit të peticionit në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovës.
“Sot jemi këtu në Gjilan për të parë nga afër nënshkrimin e peticionit për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ne kërkojmë mbështetjen e Komunës që t’u bëjë ftesë qytetarëve për ta nënshkruar në mënyrë sa më masive këtë peticion, si një akt moral dhe kombëtar. Me këtë kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Peticioni ka qëllim që t’u japim mbështetje të fuqishme këtyre zonjave të cilat kanë pësuar në tragjedinë e luftës së fundit në Kosovë. Të bëhemi të gjithë së bashku që t’u tregojmë atyre zonjave se jemi me to, por edhe t`i tregojmë botës së mbarë për tragjedinë që kanë përjetuar femrat në Kosovë gjatë luftës. Historia jonë në luftën për liri ka krenarinë e madhe, por në këtë ka pasur edhe vuajtje të cilat edhe sot e asaj ditë ne po i përjetojmë. Ky peticion do t`i drejtohet OKB-së, ku do të bëhet një raport zyrtar se çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës dhe si është keqtrajtuar femra, ku dhunimi i grave është përdorur si instrument lufte, fenomen i cili duhet të ndalet në gjithë botën”, ka thënë Tahiri ndër të tjerash.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar në emër të qytetarëve të Gjilanit, zëvendës kryeministren për prezencën në Gjilan dhe aksionin e saj të ndërmarr për vendosjen e drejtësisë, karshi një dhunë dhe një gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë, në veçanti ndaj grave dhe dhunimit sistematik që Kosova e ka përjetuar.
“Pajtohem se pa vendosjen e drejtësisë në vendin e saj, nuk mund të ketë rehati, qetësi dhe nuk mund të ketë drejtësi përfundimisht. Nga dje trendi i nënshkrimit të peticionit ka nisur të rritet nga momenti në moment dhe përgjigja e qytetarëve për këtë aksion është masive. Mundësia do t`i krijohet çdo qytetari që të vij këtu dhe të nënshkruaj. Solidariteti në Gjilan është jashtëzakonisht i madh dhe kërkesa për vendosje të drejtësisë është kërkesa kryesore”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri./rajonipress/