Koalicioni LAN dhe Vetëvendosje, duket të kenë përgatitur skenarin me të cilin do të marrin pjesë në seancën e 2 tetorit, kur edhe pritet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, për t’i hapur rrugë edhe formimit të Qeverisë.
Përfaqësuesit e bllokut nuk bëjnë të ditur se cili është skenari, por shprehen optimist në zgjidhjen e ngërçit politik, duke i përjashtuar zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Por, në anën tjetër minoritetet jo serbe në Kosovë po shfaqen jo optimist se në vazhdimin e seancës konstituive me 2 tetor do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se ata nuk do të rrinë duarkryq në seancën e ardhshme, në tentim për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndonëse nuk ka dashur të bëjë publike se cili është skenari që blloku ka përgatitur.
“Ne duam t’i japim drejtim proceseve në vend. Skenari dihet, dështimi i PDK-së, pastaj të shohim më tej. I kemi pritjet tona nga seanca, por nuk do të japim detaje”, tha Haradinaj, pas takimit të sotëm me minoritetet, por jo edhe me Listën Serbe. /KP/



