Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të pezullojë “menjëherë” vendimin për targat, sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj, në një konferencë për media të hënën, ka thënë se Kurti e ka kthyer Kosovën në pozicion më të vështirë sesa Serbia në dialog.
“Qytetarë të Kosovës, vlerësojeni vet se i kujt është Albin Kurti dhe për kënd punon! Unë e kam për detyrë të them të vërtetën. Të aprovohet menjëherë, pra menjëherë kërkesa e Amerikës për pezullimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për targat, e cila në përmbajtje ka njohjen”, tha Haradinaj, raporton Paparaci.
“Ikja prej Amerikës është shkuarje në Moskë. S’ke ku shkon tjetër kur ik prej Amerikës për çështje të sigurisë. Vetëm në Moskë ke me përfundu”, tha Haradinaj.
Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka thënë të dielën se ShBA-ja pajtohet plotësisht me Bashkimin Evropian që tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.
“Retorika dhe veprimet që rrisin mundësinë e dhunës, përballin personat e pafajshëm dhe jetët e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare me rrezik të panevojshëm”.
Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.


