Në Gjermani nuk ka shumë personalitete që guxojnë të kundërshtojnë Franz Beckenbauer, por Pep Guardiola e bën edhe këtë.
Trajneri spanjoll i Bayernit ka dalë në mbrojtje të mesfushorit Arturo Vidal, pas kritikave që Beckenbauer i ka lëshuar në drejtim të futbollistit kilian.
Në përfundim të ndeshjes së fituar ndaj Olympiakosit në mesjavë, Beckenbauer, shprehu pakënaqësinë e tij për lojën e Vidalit, duke e akuzuar për mungesë impenjimi.
Megjithatë, një Guardiola dukshëm i irrituar, del kundër ‘perandorit’, i cili edhe pse flet më shumë si opinionist dhe si tifoz, sërish krijon probleme me këto deklarata.
“Nuk jam dakord me zotin Beckenbauer. Arturo është një lojtar i Bayernit, është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe klubi e ka në planet e veta edhe për shumë vite”.
Statistikat e ndeshjes kundër Olympiakost treguan se Vidali pati një përqindje të lartë pasimesh të sakta, 92.5%, pas Xabi Alonsos dhe Thiago Alcantaras, por ai fitoi vetëm 36% të dueleve direkte me kundërshtarët.
Gjithsesi, Guardiola nuk i merr parasysh statistikat: “Nuk më interesojnë shumë dhe nëse i vështrojmë me kujdes, gjithsesi Vidal ka qenë i shkëlqyer dhe jam shumë i kënaqur prej tij”. /Telegrafi/


