Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i është kundërpërgjigjur presidentit të La Ligës, Javier Tebas, pasi ky i fundit e kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për t’ia shfuqizuar dënimin klubit anglez.
Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka shfuqizuar dënimin me dy vjet pezullim nga futbolli evropian për klubin anglez, transmeton Gazeta Express.
Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i ka vendosur tani që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro.
E gjitha kjo e ka lënë të pakënaqur presidentin e La Ligës, Javier Tebasin, i cili që një kohë të gjatë ka kërkuar dënime për Manchester Cityn dhe Paris Saint-Germainin për shkelje të rregullave të FFP-së.
“Ne duhet ta rivlerësojmë nëse CAS është organi i përshtatshëm ku duhet të apelohen vendimet institucionale në futboll”, kishte thënë Tebas.
“Zvicra është një vend me histori të mrekullueshme të arbitrazhit. CAS nuk i plotëson standardet”.
Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, Guardiola u pyet për këtë koment të Tebas dhe ai sugjeroi se presidenti i La Ligës po e xhelozon Premierligën.
“Señor Teba është ndryshe. Ai djalosh me siguri është tejet xheloz ndaj Premierligës”, tha Guardiola.
“Ai është një ekspert i jashtëzakonshëm ligjor. Herën tjetër do ta pyes atë se te cilët gjykatës do të duhet të shkojmë”.
“Ai duhet të fokusohet në La Liga. Ai është njëri ndër ata njerëzit që vendimet i cilësojnë të përsosura kur janë në favor të tij, ka ndodhur shumë herë në Spanjë”. /Gazeta Express/


