Goal: Rashica, “raketa” e Bremenit që po monitorohet nga Liverpooli

Mediumi i famshëm Goal ka shkruar për interesimin e Liverpoolit për yllin kosovar të Werder Bremenit, Milot Rashicën, i cili është përshkruar si “e vetmja dritë që po shkëlqen gjatë një sezoni të tmerrshëm për klubin e Bundesligës”.

Duket sikur Liverpooli e ka një lloj të preferuar të lojtarëve. Disa sulmues të gjithanshëm në Bundesligs me rekord mbresëlënës të golave të shënuara kanë qenë të përfolur për transferim te skuadra e Jurgen Kloppit, shkruan Goal, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi i RB Leipzigut, Timo Werner, ka flirtuar me “të Kuqtë” që disa muaj, mirëpo tani ylli i Milot Rashicës duket se është prioriteti, pasi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka zbuluar se Liverpooli ka qenë në kontakt me 23-vjeçarin.

“Ka shumë kërkesa për të. Unë e di se Liverpooli i Premierligës e do, por edhe Leipzigu në Bundesligë. Jam i sigurt se ai do të këshillohet në mënyrën më të mirë para se të vendosë”, tha Agim Ademi për Syri Tv.

Jo shumë kohë pas këtij lajmi, mediumet në Gjermani raportuan se kosovari kishte arritur marrëveshje për transferim në Leipzig. Drejtori sportiv i Leipzigut, Markus Krosche, i mohoi këto spekulime, përderisa e konfirmoi interesimin për Rashicën.

“Miloti është interesant. Por, ka edhe shumë lojtarë të tjerë interesantë. Ne, natyrisht, jemi të shqetësuar për skuadrën tonë të ardhshme. Por, kjo është ende larg – përqendrimi ynë mbetet te rinisja e ligës”, kishte thënë Krosche për Bild.

“Pas kësaj, ne do të shohim se çfarë mundësi do të kemi, në mënyrë që të përballemi me këtë temë me terma më konkretë”.

Rashica do të kërkohet shumë këtë verë, veçanërisht nëse Bremeni bie nga Bundesliga, vetëm një dekadë pasi kishte arritur në finale të Ligës së Evropës. Werder ka hasur në vështirësi këtë sezon dhe radhitet si klubi i parafundit në tabelë, përkundër tentimeve më të mira të Rashicës.

Rashica i ka shënuar shtatë gola dhe i ka bërë katër asiste në 20 ndeshjet e ligës të zhvilluar, duke kontribuar kështu për një gol mesatarisht çdo 157 minuta lojë.

Djathtaku luan si qendërsulmues, sulmues anësor dhe prapa sulmuesit. Më së shumti këtë sezon ka luajtur në krahun e majtë, pasi që kjo ia mundëson të gjuajë me këmbën më të fortë apo t’i gjejë bashkëlojtarët me ndonjë harkim apo pasim. Megjithatë, shumë prej këtyre bashkëlojtarëve i kanë kushtuar atij këtë sezon, pasi që Bremeni i ka fituar vetëm katër ndeshje të Bundesligës gjatë gjithë sezonit.

Rashica ka qenë një superlojtar i rrallë në një skuadër të tmerrshme, i cili jo vetëm që ka prodhuar më së shumti gola dhe asiste për Bremenit, por edhe më së shumti driblime, gjuajtje brenda kuadratit të portës, më së shumti prekje brenda zonës së kundërshtarit dhe ka krijuar më së shumti raste.

Të jetë kontribuuesi më i madh te skuadra e Bremenit nuk mjafton për anësorin të njohur me nofkën “Raketa”, pasi që ai po i vendos vetes standarde gjithnjë e më të larta.

“Unë gjithmonë tentoj të shënojë sa më shuma gola që të jetë e mundur. Por, e rëndësishme është ta ndihmosh skuadrën dhe të kesh sukses. Unë s’jam kurrë i kënaqur, gjithmonë kërkoj më shumë”, ka thënë Rashica.

“Kur t’i kem shënuar dhjetë gola, i dua 15. Kur t’i kem shënuar 15, i dua 20. Si sulmues, ti gjithmonë dëshiron të shënosh sa më shumë gola që të jetë e mundur. Mendoj se unë kam bërë punë të mirë, por shpresoj t’i shënoj edhe disa gola të tjera këtë sezon”.

Kompletimi i sezonit aktual është gjëja e vetme në mendjen e tij, pasi që 23-vjeçari nuk pranon të komentojë për spekulimet lidhur me interesimin e Leipzigut dhe Liverpoolit.

“Nuk po mendoj për këto gjëra tani. Ne kemi gjëra më të rëndësishme para vetes. Në futboll, nuk mund të planifikosh për të ardhmen e largët. Për momentin, jam i përqendruar te Bremeni dhe si të kthehemi më fuqishëm”, shtoi Rashica.

Rënia nga Bundesliga do ta dëmtonte shumë klubin gjerman. Jo vetëm që Bremeni do t’i humbte paratë që i fiton nga pjesëmarrja në Bundesligë, por Bild raporton se çmimi i klauzolës për shkëputjen e kontratës së Rashicës do të bjerë nga 38 milionë euro në 15 milionë.

Edhe nëse Bremeni mbijeton në Bundesligë, ka gjasa që Rashica të ndërrojë klub. Trajneri i Bremenit, Florian Kohfeldt, beson se sulmuesi i tij është një talent i veçantë dhe beson se ai do të kishte sukses kudo që do të shkonte, qoftë kjo në Premierligë apo në La Liga.

“Ai është një lojtar që i vendos ndeshjet e Bundesligës. Nuk e gjeni një lojtar të tillë shpesh. Miloti ka aftësi të mrekullueshme: në shpejtësi, shënim të golave, pasime. Rashica do të përshtatej mirë në Angli me shpejtësinë e tij, por edhe me stilin e lojës në Spanjë”, ka thënë Kohfeldt për Tafesspiegel.

Me vetëm tetë ndeshje të mbetura në këtë sezon të Bundesligës, Bremeni duhet të ngrihet për pesë pikë në krahasim me rivalët për t’u mos eliminuar direkt – duke hyrë në play-offs për rënie nga liga – apo nëntë pikë për ta garantuar sigurinë.

Rashica është i vetmi lojtar që mund ta bëjë një mrekulli të tillë, por, sidoqoftë, pritni që “Raketa” të ndryshojë klub këtë verë. /Gazeta Express/