Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thënë se këtyre ditëve nga politikanët e Beogradit është thënë se do t’i mbrojnë serbët e Kosovës me çdo kusht, por nuk është qartësuar se nga kush kanë nevojë të mbrohen ata.
“Nëse serbët e Kosovës janë të rrezikuar sadopak, ky rrezik tani, por edhe në të kaluarën, ka ardhur mu nga politikat konfliktuoze dhe luftënxitëse të Beogradit, e asnjëherë nga shqiptarët kosovarë”, ka shkruar Gecaj.
Shenimi i plotë i Gecajt:
“KUSH I RREZIKON SERBËT KOSOVARË
“Është thënë këtyre ditëve nga politikanët e Beogradit se do t’i mbrojnë serbët e Kosovës me çdo kusht, por nuk është qartësuar se nga kush kanë nevojë të mbrohen ata. Nëse serbët e Kosovës janë të rrezikuar sadopak, ky rrezik tani, por edhe në të kaluarën, ka ardhur mu nga politikat konfliktuoze dhe luftënxitëse të Beogradit, e asnjëherë nga shqiptarët kosovarë. Serbia, posaçërisht me politikat e së kaluarës, por edhe me ato të tashmet, është ajo e cila rrezikon më së shumti serbët kosovarë. Serbët e Kosovës, mirëqenia dhe siguria e tyre, më së shumti rrezikohet nga ngritja e mureve, promovimi i trenave me mbishkrime nacionaliste, mbajtja ende në fuqi të fletarrestimeve anakronike, përzierja flagrante në punët e brendshme të Kosovës, kërcënimet, shantazhet dhe ultimatumet e paskrupullta dhe të pakuptimta, mbajtja aktive e strukturave paralele, e shumë e shumë veprime tjera të natyrës së tillë. Në Kosovë mund të rrezikohen vetëm politikat nacionaliste dhe luftënxitëse të Beogradit dhe asgjë tjetër”.


