FIFA: UEFA faj për incidentin në Beograd, vendimi i padrejt

PUBLIKUAR

FIFA: UEFA faj për incidentin në Beograd, vendimi i padrejt

Në mënyrë të jashtëzakonshme, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka reaguar dhe ka fajësuar direkt UEFA-n për incidentet që kanë ndodhur në ndeshjen Serbi – Shqipëri.

Numri një i trupës qeverisëse të futbollit botëror me diplomacinë e tij u shpreh se UEFA duhet të kishte evituar përfshirjen e dy përfaqësueseve në të njëjtin grup, ndërsa preku temën e incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, gjatë një interviste të gjatë dhe shumëplanëshe për televizionin rus “Russia Today”.

Në studion e gazetares, Sophie Shevarnadze, gjatë një bashkëbisedimi ku tema kryesore ishte Botërori i vitit 2018 që do të luhet në Rusi, shefi i FIFA-s u pyet dhe mbi çështjen e bojkotit të propozuar nga disa vende për Kupën e Botës që do të zhvillohet pas 4 viteve, si përgjigje ndaj politikës së jashtme të Rusisë.

Blatter u përgjigj se FIFA nuk ka asnjë dyshim që Botërori do të zhvillohet në Rusi, duke u shprehur kundër idesë së bojkotit.

Blatter arsyetoi se politika nuk duhet të abuzojë me futbollin por mund ta ndihmojë duke sjellë si shembull faktin se FIFA po përpiqet që Izraeli dhe Palestina të luajnë ndeshje ndërmjet tyre dhe në këtë pikë politika mund të ndihmojë, duke sjellë dhe reagimin e gazetares ruse që preku temën e ndeshjes Serbi-Shqipëri me pyetjen.

Pyetje: Ju sapo përmendët Izraelin dhe Palestinën. Është interesante pasi shpesh, kur dy vende rivale garojnë në sport, nuk sjellin rezultatin më të mirë. Ne pamë Serbinë dhe Shqipërinë, dhe unë nuk po iu kërkoj ju të bëni një deklaratë mbi të, por thjesht po ju them: Gjëra të tilla ndodhin. Kështu që nuk janë vetëm politikanët, janë gjithashtu edhe sportistët, kur takohen përfshihen në zënka. Si mund të ndodhë kjo?
Blatter: Jo, sportistët nuk e bëjnë këtë, por ata janë provokuar. Ka gjithmonë një provokim. Përndryshe ju e dini, në futboll skuadrat përfaqësuese janë ambasadorët më të mirë të vendeve, ndaj duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur vjen puna te garat dhe duhet të përpiqesh që të mos kesh ndeshje ku që në fillim ti e di se mund të ketë një konflikt.

Pyetje: Si Azerbajxhani apo Armenia për shembull, ato nuk kanë luajtur kurrë bashkë…
Blatter: Po, në garat e FIFA-s ne nuk i vendosim Armeninë dhe Azerbajxhanin në të njëjtin grup për të evituar problemet.

Pyetje: Pra ju nuk e shihnit se çfarë po vinte me Shqipërinë dhe Serbinë?
Blatter: Kjo nuk është një çështje e FIFA-s, por unë mendoj se tani të gjithë janë vënë në alarm për të evituar situata të tilla në të ardhmen, pasi ne nuk duhet të krijojmë situata, ku politikanët mund të abuzojnë platformën e futbollit. Ne thjesht duhet të bëjmë të kundërtën, pasi futbolli është aty për të lidhur njerëzit.

Edhe pse i shprehur në mënyrë të kujdesshme, qëndrimi i Blatter në një pikë është i qartë: UEFA nuk duhet të kishte lejuar Shqipërinë dhe Serbinë në të njëjtin grup. Ky qëndrim vjen në një kohë kur vendimi i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA, ka shkaktuar në të njëjtën kohë habi dhe pakënaqësi në mbarë opinionin ndërkombëtar me vendimin e tij për t’i hequr tri pikë përfaqësueses së Shqipërisë, që ishte pala e dëmtuar në Beograd, ku u bë objekt i dhunës dhe fyerjeve raciste deri në thirrjet kolektive për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes me Serbinë. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Trimat Dardanë do të marrin sot rrugën drejt Bratisllavës, nesër i pret sfida jetike me Sllovakinë

Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për përballjen e nesërme me Sllovakinë, e...

“Ka kualitet”, Franco Foda për Zhegrovën: Është lojtar i rëndësishëm!

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda u paraqit në konferencë për media para...

E duan Interi e Juventusi, por Liverpooli e ka një përgjigje për Alissonin

Thashethemet e ditëve të fundit për të ardhmen e pasigurt të Alisson Becker te...