Ish-yjet e Anglisë, Rio Ferdinand dhe Gary Lineker, mbetën plotësisht të mahnitur nga goli i Lionel Messit nga gjuajtja e lirë, gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Barcelonës dhe Liverpoolit.
Argjentinasi 31-vjeçar arriti ta godasë topin në mënyrë të përsosur për të shënuar në qoshen e lartë të portës, duke e mposhtur portierin e Liverpoolit, Alisson Beckerin, për të dytën herë në fitoren 3:0 të Barcelonës, transmeton Gazeta Express.
Ky ishte goli i 600-të i Messit në karrierën më klube dhe ishte mjaft i rëndësishëm pasi që tani Barcelona është më afër finales së parë të Ligës së Kampionëve që nga vitit 2015.
Messi e shënoi golin e parë të tij për këtë ndeshje, duke e kaluar Barcelonën në epërsi 2:0, ndërsa vetëm shtatë minuta më vonë e shënoi këtë supergol nga goditja e lirë.
Dhe dyshja e BT Sport, Rio Ferdinand dhe Lineker, e shikuan këtë gol nga studioja e tyre në Camp Nou. Videoja e reagimit të tyre u publikua nga ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, i cili u gëzua mjaft shumë që rivali i tij i vjetër, Liverpooli, e humbi këtë ndeshje.
“Reagimi kur Messi e shënoi golin e tij të 600-të për Barcelonën… duhet të emocionohesh nga kjo! Uau! P.S. lëshojeni zërin”, shkruan Ferdinand mbi videon e publikuar.
Pas disa sekondave duke kërcyer aty dhe duke bërtitur, ata të dy përqafohen dhe e kapin njëri-tjetrin për rroba, përderisa Lineker kthehet drejt kamerës televizive dhe vetëm bërtet: “Uau!”. /Gazeta Express/



ps. Get the sound on

