Asenal, Barcelona, Chelsea dhe tani Monaco. Kjo ka qenë trajektorja e karrierës së Cesc Fábregas, që duket më i motivuar në sezonin e tij të dytë në ekipin e Principatës. Ky është sezoni i 17-të, që mesfushori spanjoll luan në nivelin më të lartë europian të futbollit.
“Janë shumë vite, por entuziasmi dhe dëshira mbeten të pandryshuara tek unë. Gjithmonë ka sfida të reja në botën e futbollit, qoftë titujt, apo përmbushja e qëllimeve me ekipin ku je. Unë erdha te Monaco me qëllimin e mbijetesës, diçka e re për mua, por tani kemi synime të tjera”, – thotë mesfushori për “Marca”, nga shtëpia e tij në Principatë.
Si është Ligue 1 (Liga Franceze)?
Eshtë një ligë shumë fizike. Të gjithë janë shumë të shpejtë dhe të fortë. Taktikisht nuk është më e mira, por do të përmirësohet, sepse kanë sjellë trajnerë më me përvojë. Ka shumë kundërsulme, për të cilat duhet të përgatitesh shumë mirë në mbrojtje. Talentet dalin gjithmonë këtu.
Cili është kulmi për ju, Premier League apo La Liga?
Kampionati anglez dhe spanjoll janë dy më të mirët në botë, më pas mund të vijë ai Italian dhe francez. Këtu ekzistojnë talente të rëndësishëm individualë, gjë për të cilën të mëdhenjtë gjithmonë i mbajnë sytë nga Ligue 1.
Çfarë ju çoi në Monaco?
Henry më telefonoi, në përpjekje për të shpëtuar ekipin. Më kishin mbetur 6 muaj nga kontrata ime dhe Chelsea më ofroi rinovim vetëm për një vit, duke ma ulur pagën 60%. Kur prek moshën 32 vjeç, skuadrat të japin një vit, ose më së shumti dy në kontratën e radhës. Doja stabilitet për veten dhe familjen time. Nuk doja të ndryshoja çdo vit ekip. Këtu më ofruan 3 vite kontratë. Ndikoi ftesa e Henry dhe qëllimin për ta shpëtuar ekipin. Pastaj, synimi për t’u kthyer në Champions më motivoi dhe më pëlqeu.
A ëndërroni të riktheheni në ekipin kombëtar? A e shihni të mundshme?
Aty ka lojtarë të tjerë cilësorë, në rolin tim. E kam shumë të qartë. Ama, po stërvitem fort, po luaj rregullisht dhe e kam ruajtur nivelin sportiv. Nuk kam humbur asgjë nga futbolli, pas gati 800 ndeshjeve. Nuk ndihem fizikisht sikur kam qenë 20 vjeç, por për aq sa mundet, jam shumë, shumë mirë. Nuk ndalem para asgjëje. GPS na kontrollon dhe jam rritur fizikisht. Duhet ta gjejmë mundësinë dhe të mos e lëmë të na shpëtojë. Pra, nuk heq dorë nga kthimi në kombëtare.
Për herë të parë nuk do të luani në garat evropiane…
Diçka e rrallë për mua. Vite më parë shihja TV, duke menduar se më vonë mund të luaja në Europë me këtë apo atë ekip. Tani do të shikoj sërish në TV, me dashurinë e pastër që kam për futbollin. Shumë keq.
Ju mungon atmosfera e Premier League?
Në këtë kuptim, Premier League ua kalon të gjithëve. Atmosfera atje është unike, për shkak të tifozëve. I ke thuajse ngjitur në stadium, thaujse u ndien frymëmarrjen në një rivënie anësore, një këndore një faull anësor etj…
Çfarë mendoni për Mbappé, tani që e keni rival?
Kylian është lojtari tipik, që kam imagjinuar ta kem si partner. Ju shikoni lëvizjet që bën, sa i shpejtë është, sa inteligjent. Ka dhe të tjerë lojtarë të shpejtë, por nuk e kanë tempin e duhur, të dinë mirë se kur do të vijë topi. Mbappé i ka të gjitha. Po ashtu, ka energji, uri. Thjesht, ylli i së ardhmes, pa asnjë dyshim.
A është PSG aq superior, sa duket në Francë?
Po, po, për gjithçka; për stafin, për cilësinë. Gjithsesi, ndonjëherë ndodh që i humbet ndeshjet.
Ju e njihni shumë mirë Hazard, si është belgu?
Ai ka një personalitet shumë të veçantë. Duket se kurrë nuk interesohet për asgjë, por nga brenda është fitues. Dëshiron që gjithmonë të garojë mirë, gjë që sjell një “vibrim” të mirë në dhomat e zhveshjes. Ai gjithmonë bën shaka. Ju nuk mund të prisni që Hazard të jetë një udhëheqës i dukshëm, sepse nuk i pëlqen të flasë kur ka takime. Ai mbetet jashtë këtyre gjërave, nuk ka atë lloj udhëheqjeje, por brenda fushës lërjani atij. Ai kurrë nuk fshihet, e dashuron topin, ndihmon, shënon gola. Eden është një lojtar shumë i kompletuar dhe, nëse gjithçka shkon mirë, do të bëjë paraqitje të jashtëzakonshme te Real Madridi.
Çfarë mendoni për Barcelonën, a është përsëri favorite në La Liga?
Do të shohim se çfarë ndodh, por shkon atje Neymar apo jo, me të vërtetë më pëlqen skuadra aktualke katalanase. Sot e shoh atë fituese të La Liga-s, por shumë gjëra mund të ndodhin në futboll. Barcelona është përforcuar mirë me Griezmann dhe De Jong. Ne do të shohim se çfarë ndodh me Neymar. La Liga do të fitonte shumë me Neymar te Barcelona.
A e keni parë ndonjëherë veten si lojtar të Real Madridit?
Derisa të nënshkruhet kontrata, nuk më pëlqen të them se i përkas cilitdo ekipi. Po, ka pasur kontakte në disa raste me Real Madridin, që kur isha shumë i ri. Kontakti i parë më kapi 18 vjeç, tjetri 20 vjeç. Unë u identifikova shumë me Arsenalin dhe nuk munda të lëvizja. Marrëveshja e Real Madridit për mua dhe familjen time ka qenë spektakolare. Madje, ata më dërguan një letër një herë, kur u lëndova. /Telesport/


