Janë rrumbullak 294 mijë euro që ekzekutivi i Lipjanit ia ka hequr rrugës katërtrakëshe të Lipjanit “Haredin Bajrami” dhe “Shqipëria” dhe ato i ka ridestinuar për projekte të tjera sivjet. Shkelzen Hajdini, drejtor i Buxhetit dhe Financave, ka deklaruar me këtë rast se Komuna ka hequr dorë tash për tash nga ky projekt për shkak të kostos së madhe. Ai ka këmbëngulur se ky projekt nga pushteti i kaluar ka qenë i planifikuar në mënyrë joprofesionale dhe jo mirë. Sipas tij, qeverisja e kaluar ka planifikuar investime kapitale pa asnjë lloj planifikimi, por vetëm me rishiqime.
“Nga granti qeveritar me numrin 10 kemi marrë mjetet nga asfaltimi i rrugës me katër korsi “Shqipëria” dhe “Haredin Bajrami” në shumë prej 294.273.30 eurosh. Këto mjete janë ridestinuar në projkete të tjera me rëndësi për qytetarët, sepse për këtë projekt ishte lidhur kontrata në shumë prej 2.8 milionë eurosh, ndërsa gjithsej shuma e planifikuar për këtë projekt ishte 450 mijë euro në vitin 2013 dhe 500 mijë euro në vitin 2014. Pra, gjithsej të planifikuara mjete kanë qenë 950 mijë euro dhe ne nuk kemi ku t’i marrim edhe rreth 2 milionë euro për këtë projekt, prandaj kemi propozuar që ato mjete të planifikuara t’i ridestinojmë për projekte të cilat janë më me rëndësi për qytetarët”, ka thënë Hajdini.
Por, ky projekt sipas tij, nuk i ka pasur të planifikuara as shpronësimet, ndërsa ato shtojnë koston e projektit edhe më shumë.
“Kjo dëshmon se pushteti i kaluar ka bërë planifikime në mënyrë joprofesionale dhe jashtëzakonisht keq”, ka shtuar ai.
Ndërkohë që, opozita e Lipjanit disa herë kohëve të fundit kishte kërkuar sqarime nga pushteti lokal në këtë komunë për rrugën katërtrakëshe të lënë pezull prej kohësh.
Florent Hoxha, nënkryetar i PDK-së, Dega në Lipjan, ka deklaruar se Komuna qysh në vitin 2013 kishte lidhur kontratë me një operator për ndërtimin e rrugës në fjalë, mirëpo që me instalimin e pushtetit të ri në këtë komunë, sipas tij vazhdimisht kishin munguar sqarimet dhe veprimet për të vazhduar punimet. Për më tepër, Hoxha, ka shtuar se rruga katërtrakëshe nuk ishte një projekt i komplikuar siç e kanë propaganduar pushtetarët e rinj në Lipjan, por një projekt përmes së cilit pretendohej që të përmirësohej dukshëm infrastruktura rrugore në këtë komunë.
“E kemi thënë edhe më herët se ishte çështje e ekzekutivit lipjanas se si t’i qasej këtij projekti, i cili në të vërtetë nuk ishte i komplikuar siç pretendohej, vetëm se nevojitej punë e angazhim për ta jetësuar atë. Më 2013 kishte një marrëveshje bashkëfinancimi mes Lipjanit dhe Ministrisë së Infrastrukturës për projektin dhe nuk e dimë pse kjo marrëveshje nuk është gjetur dhe nuk është vazhduar”, ka thënë ai.
Por, jo gjithçka pati shkuar mirë edhe në kohën kur pushteti i kaluar e pati tenderuar këtë rrugë, pasi që pakënaqësi lidhur me tenderin e kësaj rrugë dhe koston e saj ishin shfaqur edhe në kohën kur ishte përzgjedhur operatori. Atëkohë, ishte gjetur se në tenderimin e fundit rreth ndërtimit të dy rrugëve me katër shirita brenda qytetit, Komuna e Lipjanit kishte dhënë punë për operatorin që ka qenë më i shtrenjtë për rreth 600 mijë euro, derisa në total kjo rrugë kishte kaluar shumën për investim prej 2 milionë e 800 mijë eurove.
(Marre nga Koha Ditore)



