Janë detektivët privatë, të cilët në kundërshtim me ligjet në fuqi, po përcjellin, po fotografojnë e po incizojnë persona të ndryshëm fizikë dhe juridikë, e krejt në fund, fotografitë dhe videot, ku ata persona zihen në flagrancë, ua dorëzojnë personave që i kontraktojnë.
Gjithë kjo po bëhet në mungesë të një Ligji për Detektivët Privat, kurse janë kryesisht gratë e biznesmenëve të ndryshëm dhe të zyrtarëve të lartë qeveritarë ato që po “hetojnë” aferat eventuale të burrave të tyre. Gjithë kjo po bëhet përmes kontraktimit të detektivëve privatë, të cilët ndonëse janë ilegalë, kanë filluar të bëjnë shpallje të ndryshme në rrjete sociale.
Detektivi bie në “karrem”
Gazeta “Zëri”, në një hulumtim që ka bërë, ka arritur të kontaktojë me njërin prej “detektivëve” ilegalë. Përmes një e- maili fiktiv me emrin “Vjollca”, fillimisht gazeta i ka shkruar njërit nga “detektivët” që ka paraqitur për reklamë veprimtarinë e tij në rrjetin e shitblerjeve www.merrjep.com.
Ky person ka prezantuar aty një e-mail adresë, në të cilën gazetarët e “Zërit” i kanë kërkuar të njëjtit nga e-maili i “Vjollcës” që të japë numrin e telefonit, ku do të mundë të bisedohej për një pazar me ekipin e “detektivëve”.
Nga “hetuesit” kërkohej vërtetimi i disa dyshimeve, për një bashkëshort “Kazanovë”, për çka do të paguhej në kundërvlerë monetare.
“Detektivi”, që përmes e-mailit është paraqitur si Fisnik Shigjeta, ka prezantuar në e-mail një numër telefoni, ku pastaj në dy biseda të ndara telefonike, që kanë zgjatur mbi dhjetë minuta, ka treguar për mënyrën e punës së tij, çmimin, përvojën, shkollimin dhe rastet që ka mbaruar me sukses.
Detektivi, i rënë në “karremin” e “Vjollcës” ka treguar se mbi të gjitha garanton për ruajtjen e privatësisë.
Gazeta do të publikojë disa fragmente të bisedës me “detektivin”, i cili pas kontaktit me e-mail, ka vazhduar të flasë në telefon me “Vjollcën”. (Audio-incizimin mund ta dëgjoni në: www.zeri.info).
Fotografi dhe incizime të paautorizuara për personat që futen në cak
“Detektivi”, që prezantohej si Fisnik Shigjeta, në fillim të bisedës telefonike ka kërkuar të takohet me “Vjollcën”.
Por, e njëjta ka refuzuar që menjëherë të takohej me të, pasi që bëhej fjalë për një takim me një të panjohur, derisa nuk ishte e njoftuar me disa detaje bazike të punës së tij. Pas këtij refuzimi, “detektivi” ka thënë se kryen pa problem punën për të cilën “Vjollca” i kishte shkruar në e-mail, zbulimin e aferës së bashkëshortit të saj me kolegen e tij të punës.
“Detektiv Shigjeta”, me këtë rast ka thënë se punojnë në ekipe, në gjithë territorin e Kosovës.
Kjo edhe i kishte interesuar “Vjollcës” e cila, kishte dyshime se “burri po e tradhtonte” me një femër nga Fushë-Kosova, për çka duhej bërë hetime në dy lokacione të ndara.
“Ne jemi ekip. Ne i koordinojmë ato. Ne vetëm na duhen të dhëna ku është caku (burri – V.J.)”, ka thënë “Shigjeta”.
Ai ka kërkuar nga gruaja një fotografi të burrit, në mënyrë që të kenë të qartë se cili ishte personi që do të duhej ta përcillnin.
“Ne pastaj bëjmë foto, video dhe krejt të dhënat…”, ka thënë Fisnik Shigjeta.
Atij i janë dashur rreth 15 minuta kohë që të japë një çmim për përcjellje tri ditësh të bashkëshortit të dyshuar për tradhti.
1000 euro për dy muaj vëzhgim, 200 euro për përcjellje treditore
Po ashtu, ai ka kërkuar që t’i shkruhet një e-mail shtesë me detaje dhe me kohën kur do të duhej kryer puna.
“A është në pyetje tri apo katër orë. Ti e din kur të vjen burri në shtëpi. I cek ditët dhe asgjë më shumë”, ka thënë detektivi, në bisedën telefonike.
Por, i pyetur nëse ka shkollë dhe nëse është i specializuar për këtë punë, ai ka thënë se janë ekip i specializuar dhe kryejnë punën në mënyrë shumë profesionale.
“Na jemi aq sekret për t’i mbrojtur të dhënat e Juaja, edhe Ju duhet të na mbroni neve. Nuk bën të na shpallni, pastaj pas një kohe që të mbarojmë punën, t’i thoni burrit tënd që këta janë që të kanë përcjellë a najsen. Edhe ti duhesh të jesh profesionale për këtë punë. A sa i përket neve, na nuk biem viktimë në këtë punë, veç varet sa edhe ti na ruan…”, i thotë Shigjeta, “Vjollcës”. Ai gjithashtu i garantoi gruas se burri i saj nuk do të ketë mundësi asnjëherë t’i detektojë.
Në bisedën e dytë telefonike pas rreth 20 minutash, “Shigjeta”, ka treguar çmimin.
“Nëse është për tri ditë, me llogaritë tri orë deri në katër, me dy ekipe, është 200 euro, pasi është me nda ekipin në dy vende”, ka thënë Shigjeta.
E pyetur nëse fotografitë që do t’i bëheshin burrit duhet paguar ekstra shërbimit, ai ka thënë se të gjitha punët kryhen në kuadër të këtij çmimi.
“E nëse nuk mundeni me krye punën apo nuk ka kurgjo, aty çka?”, pyet “Vjollca”, “detektivin” kosovar.
Me këtë rast, Shigjeta do t’i tregojë asaj që nëse për tri ditë nuk zbardhin rastin, atëherë ka mundësi që të vazhdojnë përcjelljen me një çmim shumë më të lirë.
“Kemi pasur ne klientë që ka vazhduar puna deri në dy muaj”, ka thënë Fisnik Shigjeta, sipas të cilit, çmimi i përcjelljes për një kohë prej dy muajsh, përfshirë edhe vikendet, kushton hiç më pak se 1000 euro. Por, ky çmim, sipas Shigjetës, përfshinë vetëm përcjelljen brenda shtetit.
“Detektivët” e kafeneve
Shigjeta, ka thënë se nuk kanë zyre, por takimet i bëjnë nëpër kafiteri. “Aty ku ta cakton klienti. Na nuk caktojmë. Ty ku të doket më sigurt”, ka thënë Shigjeta, sipas të cilit, pagesën mund ta bëjë edhe me kesh, por edhe përmes xhirollogarisë bankare.
“Një përqindje të pagesës duhet ta bëni para se me fillu punën, në konto, ose në kesh, qysh të duket ty më e arsyeshme”, ka thënë “detektivi”.
Por, Shigjeta nuk është i vetmi “detektiv” që heton marrëdhëniet jashtëmartesore.
Një tjetër “detektiv” kosovar, tashmë ka hapur një “fan page” në rrjetin social “Facebook”.
Aty ai ka njoftuar se edhe në Kosovë ekzistojnë mundësitë për investigimin e personave të caktuar.
”Unë nuk kam ende licencë nga institucionet përkatëse, por kam të gjitha mundësitë e kryerjes së punës me nderë”, shkruan “detektivi” tjetër kosovar, i prezantuar si Genci.
Në anën tjetër në Organet e Hetuesisë thonë se nuk ka bazë ligjore për punën e detektivëve privatë. “Nuk ka bazë ligjore që në Kosovë të ushtrohet veprimtaria e detektivit privat. Puna private e detektivit në raste të tilla, paraqet shkelje të privatësisë, veprim i cili është i dënueshëm me ligjet e Kosovës”, ka thënë për “Zërin”, avokati, Admir Salihu.
Ndërkohë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla, ka thënë për “Zërin” se nëse dikush merret me hulumtimin e veprimtarisë së dikujt, apo me hetimin e dikujt pa ndonjë autorizim, atëherë kjo automatikisht paraqet vepër penale. Sipas Sylës, e njëjta gjë ndodh edhe në rastet e fotografimit apo të incizimit të ndonjë personi.
Ndërkohë, në Policinë e Kosovës, zyrtarisht, nuk kanë konfirmuar për ndonjë rast të hapur për abuzime të tilla. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, ka thënë se çdo person që bie në kundërshtim me ligjin dhe tenton të kryejë ndonjë mashtrim në emër të tij, apo i thirrur edhe në emër të një personi tjetër, është përgjegjës para ligjit./Zeri/



