Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka reaguar kundrejt deklaratave të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj kundrejt serbëve të Kosovës. Ky i fundit ditë më parë ka thënë se është i gatshëm edhe për luftë nëse vëllai i tij, Ramushi ekstradohet nga Franca për në Serbi.
Sipas presidentit Thaçi, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera jo shqiptare nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje.
Thaçi konsideron se deklaratat e tilla bllokojnë dialogun me Serbinë.
“Për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur.
Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vëjnë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike.
Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook, transmeton Indeksonline.


