Me mbi gjashtë milionë përdorues të drogës, numër ky në rritje – a mundet Pakistani të fitoj luftën kundër tregut miliarda dollarësh?
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krime vlerëson se Pakistani ka rreth 6,7 milionë përdorues të drogës. Më shumë se katër milionë prej tyre janë të varur, shifër kjo ndër më të lartat në botë, transmeton Telegrafi.
Abuzimi me kanabis dhe heroinë është aq i përhapur sa që ekspertët thonë se është më lehtë dhe më lirë të blesh drogë se sa ushqim. Kushton vetëm 50 cent që të “ngrihesh lart”.
“Më e lehtë është të vendosni rregull për Pizza se sa për Drogë”, thotë Dr. Mohammad Tariq Khan, i cili ka studiuar narkotikët për më shumë se 20 vjet në Pakistan.
Qeveria në Pakistan dhe zbatuesit e ligjit fajësojnë rrjedhën e pafund të drogës nga fqinji, Afganistani.
Vendi i shkatërruar është burim i së paku 75 për qind e heroinës në botë, sipas UNODC, dhe rruga e saj, pjesa më e madhe shkon nëpërmjet Pakistanit, drejt tregjeve fitimprurëse.
Nga rreth 150 tonë heroinë që futet në Pakistan çdo vit, rreth 44 tonë konsumohet brenda vendit.
Kostoja njerëzore e konsumimit kaq të lartë në Pakistan është ekstreme. Brenda një shtëpie një katëshe në Karachi, 14 vjeçari, Mohammad Shehzad, po lufton një betejë të vështirë.
Shehzad filloi të konsumonte hashash kur ishte nëntë vjeçar. Kur ai filloi detox, para tre muajsh, një tërheqje nga droga do të ishte shkatërruese për të, transmeton Telegrafi.
Shehzad është duke jetuar në të vetmen qendër rehabilitimi të fëmijëve të varur nga droga. Ajo është duke u udhëhequr nga “Alleviate Addiction Suffering Trust”, një OJQ private e cila kujdeset për rreth 25 veta në të njëjtën kohë.
Ai thotë se ka tentuar shpeshherë që të qëndroj “I pastër”, por lagja e tij është aq e “përfshirë” nga abuzimi i drogës, sa që disa herë ka dështuar.
“Tentova dy herë ta lë drogën, por nuk munda”, thotë ai, i ulur në kulmin e qendrës rehabilituese.
“Dua të takoj të gjithë njerëzit, zemrat e të cilëve i kam thyer, i kam lënduar. Dua tu kërkoj falje të gjithëve”, shton ai.
Shumica, sikurse Shehzad, janë të varur nga hashashi ose zam. Por, me kalimin e kohës, vërehet një rritje e atyre që janë të varur nga heroina.
“As nuk mund të numërohen njerëzit që janë të varur nga droga në këtë qytet”, thotë Aftab Alam, 21, ish i varur nga heroina, i cili tanimë është punëtor tereni i Trust. “Tanimë ka shumë të varur nga droga. Jetët e tyre janë shkatërruar dhe ka shumë që kanë vdekur”, thotë ai. /Telegrafi/



