Dyshim: Në duart e terroristëve shkojnë edhe armët nga Kosova!?

PUBLIKUAR

Një pjesë e madhe e armëve në tregun ilegal evropian vijnë nga Ballkani. Këto armë u përdorën nga terroristët në Paris. Tregtia ilegale e armëve nga Ballkani është një faktor rreziku për sigurinë në mbarë Evropën.

Atentatorët e Parisit përdorën, sipas njoftimeve në media, ndër të tjera edhe dy automatikë të tipit Zastava M70 nga ish-Jugosllavia. Edhe gjurmët e armëve të përdorura gjatë sulmit terrorist më 7 janar 2015, kundër revistës satirike “Charlie Hebdo”, çojnë në Ballkan. Gjatë asgjësimit të një celule terroriste kosovare në Itali dhe në Kosovë, para pak ditësh, në një fshat në Kosovë u gjet një sasi e madhe armësh ilegale.

Që nga luftërat e Jugosllavisë në vitet 1990 dhe që pas hapjes së depove të armëve në Shqipëri në vitin 1997, lulëzon një treg i zi armësh të ndryshme jo vetëm në Ballkan. Në këtë rajon për një kallashnikov paguhen 300-500 Euro, e në vendet e Evropës çmimet rriten deri në 2000 Euro.

Sipas një studimi të fundit të “Flemish Peace Institut”, në Bruksel, një pjesë e madhe e armëve ilegale në Evropë kontrabandohet nga Ballkani.

“Bëjmë fjalë për Serbinë, Kroacinë, Bosnjën, Shqipërinë… shumë nga këto vende kanë një problem me armët. Janë armët, që kanë mbetur në duart e njerëzve pas luftërave në Ballkan. Në bazë të hulumtimeve tona, mund të themi se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbahen më shumë armë ilegalisht se sa legalisht”, ka thënë një ndër ekspertët e këtij studimi, Nils Duquet.

Ivan Zverzhanovski, ekspert nga Beogradi, druan se Ballkani mund të bëhet një burim me kosto të ulët i armëve për celula të ndryshme terroriste në Evropë: Edhe eksperti kosovar i sigurisë, Burim Ramadani, e konsideron si të lartë këtë rrezik.

Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, përmend një aspekt tjetër të tregtisë me armë nga Ballkani.

“Terroristët paguajnë mjaft mirë dhe kësisoj ata gjithmonë gjejnë armë në tregun e zi. Ne e dimë që ka një treg të zi të kriminelëve dhe terrorit në Ballkan”, thotë Klosi.

Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, përllogaritet të jenë në qarkullim rreth 200-900 mijë armë të vogla ilegale vetëm në Serbi. Një raport i OKB-së i vitit të kaluar nënvizon numrin e lartë të armëve ilegale edhe në Kosovë: 450 mijë armë të vogla dhe të kalibrit të lehtë. Ndërkaq, sipas të dhënave të SEESAC në Beograd, në Bosnje dhe Hercegovinë mund të jenë në qarkullim rreth 750 mijë armë ilegale.

“Për Shqipërinë mund të spekulohet”, thekson Klosi. “Ne e dimë që shumë armë kanë rënë në duar kriminale. Ato, pas hapjes së depove të armëve në vitin 1997, mbetën në duart e njerëzve, kryesisht në zonat rurale të Shqipërisë. Këta janë njerëz që kanë ndjenjën e sigurisë duke pasur një armë në dorë”.

“E ngjashme është situata në mbarë Ballkanin. Shumë njerëz pas luftërave në Ballkan i kanë mbajtur armët”, thotë Nils Duquet. “Kur këto armë mbërrijnë në Evropë, ato qarkullojnë nga njëri grup i vogël kriminal tek tjetri”. /DW/Telegrafi.

SHIKO MË SHUMË

Pse ndodhi “çarja” me Vjosa Osmanin, kjo është përgjigja e Mimoza Kusari-Lilës

  Dekreti për shpërndarjen e kuvendit është jokushtetues, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo...

Haxhiu: Largimi i “Kosovo” korrigjon një padrejtësi ndaj shtetit tonë*

Albulena Haxhiu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të European Committee...

Shqetësimet e kongresmenëve amerikanë për reduktim trupash në Kosovë, NATO: Aktualisht s’jemi duke shqyrtuar ndonjë ndryshim

Disa kongresmenë amerikanë i kanë shkruar një letër Sekretarit amerikan, Marco Rubio, duke shprehur...