Elvis Kabashi, mesfushori i Juventusit, por i huazuar te Pontedera, tash ka dhënë një version tjetër sa i përket largimit nga përfaqësuesja U19 e Shqipërisë
Mesfushori shqiptar, Elvis Kabashi kishte braktisur zyrtarisht Shqipërinë dhe fanellën kuqezi në fillim të vitin 2013 nëpërmjet një letre dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Ai këtë e kishte bërë duke shpresuar që të marrë një ftesë nga përfaqësuesja e Italisë, shkruan Express.
Por, pas katër viteve Kabashi ka dhënë krejt një version tjetër. Mesfushori i Juventusit, por i huazuar te Pontedera, në një intervistë për Tuttojuve.com, i ka hëngër fjalët që kishte thënë në vitin 2013.
“Unë kam luajtur me Italia B, kam marrë pjesë në Europa Under 19 me Shqipërinë dhe aty ka pasur pak fërkime në vitet e fundit. Gazeta kanë shkruar se unë nuk doja të shkoja me ta, por nuk është e vërtetë, sepse unë isha i pafat te Juve dhe doja të rikuperohesha”, ka deklaruar Kabashi, përcjell Express.
“ I thirra dhe u thashë se doja të mbetesha në Torino për t’u rikuperuar sa më mirë me stafin bardhezi, ishte më mirë për ta dhe për mua. Babai im është lindur dhe rritur aty, zemra ime është shqiptare, por ajo që ka rëndësi do të jetë ta demonstroj në fushë se meritoj të më thërrasin. Nëse nuk luan mirë aty, askush nuk të thërret”, shtoi ai.
23 vjeçari, i cili luan në Lega Pro/B, ka folur edhe për ndeshjen e së premtes mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila luhet në kuadër të eliminatoreve për Botërorin ‘Rusia 2018’, përcjell Express.
” Shqipëria është rritur shumë gjatë viteve, ka një trajner të madh dhe ai është duke luajtur futboll të mirë. Italia ka një ekip të fortë, me lojtarë të rijnë të cilët luajnë janë krah për krah me kampionët e Botës si Buffon dhe De Rossi”, përfundoi Kabashi. /Express/


