Eusebio Di Francesco nuk ka dashur të flasë shumë për referimin dhe penaltitë e mundshme për Romën, duke thënë se gabimet i kushtuan skuadrës së tij në fund.
Roma fitoi 4-2 kundër Liverpoolit në sfidën e dytë në “Olimpico”, por u eliminua nga Champions League për shkak të humbjes 5-2 në takimin e parë.
“Jemi rritur shumë me këtë eksperiencë, por pendohem sepse se ky ekip është dashur të besojë më shumë në shanset, mund të kishim shënuan më shumë gola dhe të kishim shtyrë Liverpoolin më shumë prapa”, tha ai për Mediaset Premium.
“Unë jam më i zhgënjyeri për këtë eliminim dhe dua t’i përgëzoj lojtarët, sepse të reagosh në këtë mënyrë kundër Liverpoolit, është fantastike, ishim pothuajse perfekt në pjesën e dytë”.
“VAR-i në Champions? Nuk më takon mua të ngre zërin për këtë, çfarëdo që ne të kishim bërë, gjyqtari nuk do të kishte ndryshuar mendjen”.
“Sigurisht, 20-25 minuta nga fundi me një karton të kuq dhe penalti, ndeshja do të ishte rihapur. Sido që të jetë, ne bëmë gabime gjithashtu dhe këto na kushtuan më shumë”, shtoi mes tjerash trajneri i Romës. /Gazeta Express/


