Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së që vije nga Lipjani pas betimit si Deputete në Kuvendin e Kosovës ka falenderuar të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këto vite të cilat ajo ka mbajtur pozitën e Drejtoreshës së Shëndetësisë në Lipjan.
Kujtojmë Deputetja Hajnuni më herët ka qenë edhe Kryesuese e Kuvendit Komunal në Lipjan.
“Të nderuar lipjanas Ka qenë detyrë dhe përgjegjësi e imja që në përputhje me autorizimet e kryetarit të Komunës z. Imri Ahmeti, për këto dy vite të menaxhoj me Institucionet Shëndetësore dhe Sociale të Lipjanit. Pavarësisht sfidave me të cilat u përballëm, së bashku ne arritëm të zgjidhim shumë probleme të cilat i identifikuam në saje të bashkëpunimit dhe komunikimit me ju.
Për këto dy vite arritëm të rrisim buxhetin për Shërbime Sociale dhe të ndërrojmë komplet imazhin e shëndetësisë në Lipjan, duke investuar jo vetëm në infrastrukturën e objekteve por edhe në pajisje mjekësore dhe në furnizim me të mirë me material shpenzues mjekësor. Brenda këtyre dy viteve shërbimet e laboratorit dhe të stomatologjisë kanë punuar pa asnjë mungesë të materialit shpenzues. Përderisa furnizimi me barna nga lista esenciale, përgjegjësi kjo e Ministrisë së Shëndetësisë, vazhdon të jetë sfiduese, pavarësisht që me buxhetin e Komunës mundohemi të ndërhymë për të mos pasur mungesa elementare”, ka shkruar ajo.
“Së bashku me projektin AQH, ri dizajnuam komplet hapësirat e brendshme të QKMF-së duke siguruar shërbime të qasshme dhe cilësore, me një rend të ri të orientimit të pacientëve përmes recepsionit dhe sistemit të rendit.
Objekti i Maternitetit, i harruar për vite të tëra tani më ka një pamje krejt tjetër i furnizuar me Ultrazë, CTG dhe pajisje tjera moderne.
Shërbimi i Emergjencës me autoambulancë të stërvjetruarë dhe pa pajisje bazike për të dhënë shërbim adekuat, tani përveç renovimit të objektit është pajisur me autoambulancë, defibrilator, EKG dhe pajisje tjera të domosdoshme për të dhënë shërbim sipas protokollit mjekësor”, ka shkruar Deputetja Hajnuni.
“Për këto dy vite ne hartuam dhe miratuam rregullore dhe strategji komunale në fushën e shëndetësisë, mirëqenës sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve. Pastaj në bazë të këtyre dokumenteve ne dizajnuam programin e vizitave sistematike mjekësore në shkollat e Lipjanit dhe në Çerdhen e fëmijëve. Vazhduam me përkushtim të implementojmë programin e kujdesit ndaj nënës dhe fëmijës.
Arritëm të gjejmë zgjidhe për problemin e mbetjeve mjekësore të grumbulluara tash e disa vite në depot e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Për herë të parë pas disa viteve, kompletuam ekipin dhe funksionalizuam shërbimin e patronazhit, ekip ky jashtëzakonisht i nevojshëm i cili tani ofron shërbim mjekësor në shtëpi për njerëz të cilët kanë probleme të rënda shëndetësore”, thuhet tutje.
Ndërsa nga viti i ardhshëm do jenë të pajisur me aparaturë të nevojshme laboratorike dhe pajisje tjera (EKG, Defibrilator etj) AMF-të dhe sidomos laboratoret e QMF-vë në Shalë, Magure, Gadime dhe Janjevë. Kjo do të thotë që nga viti i ardhshëm qytetarët e këtyre regjioneve do mund të i kryejnë të gjitha analizat e gjakut pa pas nevojë të vijnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Megjithate duke e qenë e vetëdijshme që pavarësisht sukseseve, shërbimet shëndetësore dhe sociale kanë nevojë edhe për më shumë investim, dua t’ju shprehë përkushtimin tim që edhe nga pozita e deputetës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të angazhohem fuqishëm që shërbimet shëndetësore dhe sociale të zënë vende të merituar në agjendën e legjislaturës së re të Republikës së Kosovës. Dhe në fund dua t’ju falënderoj për bashkëpunimin tuaj për këto dy vite, duke mos anatemuar por duke qenë mirënjohëse për vullnetin dhe përkushtimin e shumë puntorëve shëndetësor dhe social për të kryer punën me nder dhe në shërbim të qytetarit, ka përfunduar Deputetja Hajnuni.






