Coutinho ia ka mbyllur dyert Barcelonës
Philippe Coutinho është pyetur sërish për një kalim të mundshëm te Barcelona, por ka insistuar se dëshiron të mbetet në Liverpool.
Mesfushori i “Të Kuqve” shënoi golin e dytë për Liverpoolin të dielën në fitoren prej 3:0 ndaj Middlesbrough, për ta përfunduar sezonin në vendin e katërt, vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Pas ndeshjes së djeshme, Jurgen Klopp bëri të ditur se i ka dhënë një mesazh të qartë Coutinhos, që lidhet me një kalim të mundshëm te Barcelona.
“Shko në Barcelonë, Real Madrid apo Bayern Munich dhe do të jesh një lojtar më shumë, nëse qëndron këtu, ata do të ta ndërtojnë një statujë nderi në fund”, këto fjalë të Klopp duket se kanë bindur Coutinhon, i cili dha një intervistë interesante për “ ESPN Brasil”.
24 vjeçari, i cili veçse ka nënshkruar një kontratë të re pesë vjeçare më “Të Kuqtë”, thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në “Afield”.
“Kam kontratë të gjatë me Liverpoolin”, tha ai, i cili shtoi: “Spekulimet janë vetëm për gazetarët”.
“Filluam sezonin mirë, unë gjithashtu e nisa mirë. Por më pas disi ramë me paraqitje. Por, u rikthyem dhe përfunduam sezonin në nivelet më të larta”, u shpreh më tej braziliani.
“I gjithë ekipi po luan mirë dhe ndaj Middlesbrough bëmë paraqitje të mrekullueshme, sezonin e ardhshëm kemi Ligën e Kampionëve”, shtoi më tej Coutinho.
Coutinho ka shënuar 14 gola këtë sezon, 13 prej tyre në Premierligë. /Gazeta Express/


