Kreu i qeverisë, Isa Mustafa pritet që të hënën ta dërgojë në Kuvend për ratifikim Marrëveshjen e shënjimit të vijës kufitare mes Kosovës me Malin e Zi. I palëkundur në qëndrimin e tij mbetet deputeti Shpejtim Bulliqi.
Në një prononcim për “Indeksonline” ai ka thënë se qëndrimi i tij nuk ka qenë asnjëherë i fshehur dhe se të hënën do ta thotë atë që e ka deklaruar deri më tani.
“Ne i kemi dhënë disa mendime deri tash, qëndrimi im dihet dhe nuk ka qenë asnjëherë i fshehur. Tjetër përgjigje nuk kam. Sigurisht që unë do ta them atë që e mendoj dhe që e kam shprehur deri më tani”, ka thënë ai.
Bulliqi ka deklaruar se pret që deputetët të veprojnë në bazë të bindjes së lirë të tyre, deri sa ka shtuar se është pasojë e madhe që të humbet territor në tavolinë.
“Ne e kemi diskutuar gjatë këtë çështje. Vullneti ka munguar të zgjidhet ky problem, tash u mbetet deputetëve të veprojnë në bazë të bindjes së lirë të tyre, po shpresoj. Pasojë më të madhe se me humb territor në tavolinë, nuk ka ku të shkojë më. Kjo është pasoja më e madhe sepse me këtë marrëveshje po cenohet integriteti territorial i shtetit”, ka thënë ai.


