Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, e ka dhënë një intervistë të gjatë për Gazzetta dello Sport rreth jetës së tij dhe pjesës së mbetur të sezonit.
Gjatë kësaj interviste, ai ka folur edhe për talentin e ri të Milanit dhe atë që konsiderohet pasardhësi i tij në Kombëtaren italiane, Gianluigi Donnarumma, transmeton Express.
“Donnarumma? Do t’i thosha t’i bashkohet Juventusit, sepse nuk do të gabonte. Në fakt s’mund t’i jap këshillë atij, sepse nuk e di në çfarë situate është; nuk e di sa e fortë është lidhja e tij me Milanin. Ajo që e bën dallimin është se çfarë ke në shpirt”, ka thënë Buffon.
Numri një i Juves ka theksuar se edhe pse nuk dëshiron t’i varë dorezat, po përballet me këtë gjë në mënyrën e duhur.
“Askush nuk dëshiron t’i varë këpucët, por jam i lumtur sepse po përballem me këtë në mënyrën e duhur. Është pjesë vendimtare në jetën time dhe nuk brengosem. Presidenti i Juventusit është i jashtëzakonshëm, më thotë se jam unë ai që vendos se kur do të pensionohem”, shtoi Buffon. /Express/


