Benitez do të largohet nga Newcastle United kur t’i skadojë kontrata, me 30 qershor 2019.
Tashmë është zyrtare. Rafael Benítez nuk ka arritur marrëveshje me Newcastle United për vazhdimin e kontratës, ai s’do të jetë pjesë e klubit sezonin e ardhshëm.
“Me zhgënjim njoftojmë se Rafael Benítez do të largohet nga Newcastle United kur do t’i skadojë kontrata me 30 qershor 2019”, shkruhet në njoftimin e klubit anglez, që ndër të tjera thotë “kemi punuar për t’ia zgjatur kontratën Benitezit, por nuk është arritur asnjë marrëveshje me Rafan e përfaqësuesit e tij”.
Klubi gjithashtu ka njoftuar se do të largohen edhe stafi, Paco de Míguel Moreno, Antonio Gómez Pérez dhe Mikel Antia.
Ditë më parë u raportua se Mike Ashley është pajtuar ta shesë Newcastle Unitedin për 397 milionë euro te kushëriri i pronarit të Manchester Cityt, Sheikh Mansour.
Sipas mediave angleze, kontratat janë nënshkruar në mes të Ashleyt dhe miliarderit Sheikh Khaled bin Zayed Al Nehayan.
Për këtë, emri i Jose Mourinhos ka nisur të lidhet menjëherë me një rikthim në Angli dhe zyrtarizmi i Benitezit, i rrit edhe më shumë spekulimet. /Gazeta Express/



